Pandemia COVID-19 po mban pezull tërë botën. Ndërsa vende të tilla si Italia, Spanja dhe Franca kanë pasur një numër të lartë vdekjesh, kriza për Shqipërinë deri më tani ka qenë relativisht e butë. Kufijtë tashmë janë hapur dhe po mbërrijnë turistët e parë për qëllime shëndetësorë, shkruan faqja e njohur NEX24, që ka biseduar me Dritan Gremin, i cili drejton një klinikë dentare në Tiranë.
Zoti Gremi, ju jeni një sipërmarrës i njohur në vendin tuaj. “Klinika Gremi – Udhëtimi dhe Buzëqeshja” ka vite që është aktive në turizmin shëndetësor, veçanërisht në fushat e trajtimit dentar dhe kirurgjisë kozmetike. Sa e vështirë ishte për ju të rifilloni operacionet pas mbylljes nga COVID-19?
Po, si çdo sektor tjetër ekonomik, klinika jonë u detyrua të bënte pushim. Për fat të mirë, klinika rifilloi operimet pas gati dy muaj e gjysmë mbyllje dhe ishte në gjendje të mirëpriste pacientët e parë të huaj. Meqenëse shërbimet që ne ofrojmë janë pjesë e turizmit shëndetësor, turistët e parë në Shqipëri mund të kenë qenë edhe pacientët tanë. Kufijtë fillimisht u hapën për turizmin shëndetësor. Aktualisht ne ofrojmë shërbimet tona për 40 pacientë të huaj, kryesisht nga Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria. Duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet bota dhe kufizimet e udhëtimit midis vendeve, kjo mund të shihet si një fillim i mirë për këtë sezon.
Sa i sigurt nga pandemia mund të ndjehet një pacient i huaj i cili vjen në klinikën tuaj?
Në klinikën tonë nuk ka pasur mungesë higjiene apo të masave mbrojtëse as përpara pandemisë. Sidoqoftë, që nga shpërthimi, ne kemi intensifikuar përsëri masat tona dhe kemi futur protokolle të larta sigurie kundër Covid-19. Këto masa në tërësi dhe zbatimi i tyre i rreptë garantojnë gjithashtu shëndetin e pacientëve dhe mbi 100 punonjësve. Të gjitha shërbimet që ne ofrojmë, të tilla si laboratorët, ambientet e akomodimit, baret, restorantet dhe shumë më tepër, përdorin udhëzimet më të rrepta të rekomanduara nga autoritetet më të larta shëndetësore.
Pse mendoni se udhëtarët duhet të zgjedhin Shqipërinë këtë vit?
Shqipëria ka qenë gjithmonë një destinacion i njohur udhëtimi. Por, tani që e gjithë bota po përballet me një pandemi dhe kufizimet që ajo sjell, numrat favorizojnë vendin tonë. Ballafaqimi siç duhet me situatën që nga fillimi i pandemisë ka bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet më të sigurta në rajon.Kjo është rezultat i masave të shpejta kufizuese të qeverisë, por edhe i solidaritetit që shqiptarët kanë treguar se respektojnë distancën shoqërore. Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, situata tregoi se virusi qarkulloi në vendin tonë një muaj më vonë dhe nuk krijoi ndonjë burim të vërtetë infeksioni. Përveç kësaj, nuk ka raste të qytetarëve të huaj të infektuar në vendin tonë, që do të thotë se shërbimet e ofruara në strukturat e hotelit janë shumë të sigurta. Sa i përket klinikës sonë, duhet të theksohet se asnjë prej punonjësve tanë nuk është prekur nga Covid-19 në 30 ditët e kaluara.
Por, a janë të huajt të vetëdijshëm për këtë situatë pozitive dhe çfarë dëshirash kanë turistët për sezonin e ardhshëm?
Po, sigurisht. Unë besoj se kushdo që dëshiron të udhëtojë në Shqipëri, veçanërisht për të marrë kujdes mjekësor, është i interesuar të marrë një përmbledhje të përgjithshme. Në rastin tonë, kriza ekonomike që po e mban botën të pezulluar ka rezultuar në rritjen e kërkesës nga pacientët e huaj. Sidomos nga europianët që janë veçanërisht të interesuar për trajtimet e dhëmbëve. Përveç klimës dhe bukurisë natyrore, Shqipëria përfiton gjithashtu nga çmimet konkurruese dhe aspekti ekonomik është shumë i rëndësishëm për të gjithë pas pandemisë. Tashmë kemi prenotime për korrik, gusht dhe shtator. Për shkak të rritjes së numrit të pyetjeve, supozojmë se numri i prenotimeve do të rritet. Ne jemi akoma të përkushtuar në respektimin maksimal të të gjitha kërkesave të sigurisë, nga koha e pritjes në aeroport tek shërbimi i klinikës deri tek akomodimi në hotele apo restorante, të cilat, siç ju thashë, të gjitha menaxhohen nga ne. Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm për situatën aktuale në të cilën virusi është ende mes nesh. Përveç mikpritjes, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm në të cilin ka shumë bukuri natyrore për t’u shijuar, përtej sektorit të shëndetësisë./atsh