32 mijë maturantë do u drejtohen të hënën bankave të shkollës për provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Por ndryshe nga një vit më parë, këtë vit testi do të jetë vetëm me pyetje alternative.
Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi në një intervistë në media thotë se janë 60 pyetje me alternativa, për 60 pikë.
“Nuk ndryshon numri i pikëve, por ndryshon lloji i pyetjeve. Në këtë maturë i gjithë testi do të jetë me pyetje me alternativa, pra janë 60 të tilla për 60 pikë. Është shkurtuar koha nga 2:30 në 2 orë. Nuk do të ketë pyetje ese e cila merrte rreth 45 minuta për t’u shtjelluar”, shprehet Vrapi.
Vrapi thotë kjo mënyrë testimi kryhet për shkak të pandemisë së Covid-19, për të mos grumbulluar më shumë mësues për korrigjimin e testeve dhe duke ia besuar atë teknologjisë.
“Për shkak të pandemisë dhe kushteve ku ndodhemi, që të mos mbledhim korrigjues, të cilët janë të detyruar që kur vlerësojnë një pyetje të hapur të komunikojnë me njëri-tjetrin për pikën finale të maturantit, është kaluar në këtë variant. Gjithçka do korrigjohet në mënyrë elektronike, duke shmangur korrigjimin njerëzor”, deklaroi ajo.
Pandemia ka bërë që të ketë ndryshime edhe në mjediset ku do të kryhet provimi. Maksimumi i nxënësve për klasë do të jetë 15 dhe do të mbikëqyren nga një koordinator.
Sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore nis me lëndën e gjuhës së huaj këtë të hënë, për të vazhduar më datë 11 qershor me gjuhën shqipe, me matematikën më 15 qershor, për ta përmbyllur me lëndën me zgjedhje më datë 18 qershor./atsh