Loading...

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit Infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID-19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

“Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.
Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza. Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm. U prehsh në paqe Profesor Pushi”, shprehet Manastirliu.

Meta: Humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë

Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme.

“Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor. Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë”, shprehet Meta.

“Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”, deklaron ai.

Ruçi: Sinjal alarmi për të gjithë se koronavirusi nuk ka ikur

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Arjan Pushi.

“Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karrierën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19. Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur. Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi”, shprehet Ruçi.

Ai thekson se “kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij është i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë. Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve”.

Basha: Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar tronditës lajmin për ndarjen nga jeta të profesor doktor Arjan Pushit, i cili ishte i prekur nga COVID-19

“Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij”, shkruan Basha.

“Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e COVID-19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij”, shprehet Basha.

“Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve. Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!” – përfundon Basha.

Ambasadorja Kim: Do të kujtohet si hero

Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të mjekut Arjan Pushi, i cili ishte prekur nga COVID-19.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e parakohshme e Dr. Arjan Pushit. Ai e dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero!”, u shpreh ambasadorja Kim./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com