Loading...

Mbrojtja e pasurive natyrore, Lleshaj nga Mati: Ndjekje penale e masë administrative për këdo që kapet në shkelje

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e bashkive Mat e Klos, deputeten e zonës, përfaqësues e drejtues vendorë, prefektin e qarkut Dibër, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, ndërtimet pa leje, masat kundër dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

“Po the Mat, ke thënë shumë gjëra, në kuptimin e një krahine të madhe të lashtë me histori, me kulturë, me traditë”, u shpreh ministri Lleshaj.

“Sot në fakt ne kemi ardhur në kuadër të një programi që po zhvillojmë në të gjithë vendin, për të diskutuar disa çështje që kanë rëndësi të madhe. Prandaj i organizojmë takimet kështu, edhe me pjesëmarrje të autoriteteve, por edhe të publikut. Për të diskutuar disa çështje që i përmendi edhe Prefekti edhe Kryetari i Bashkisë, me çështje që kanë të bëjnë sigurisht me fushën e rendit dhe të sigurisë publike, dhe të territorit që tashmë një pjesë të përgjegjësive që i ka patur IKMT-ja janë zgjeruar. Tashmë IKMT-ja është atashuar pranë PSH. Kemi ndryshime të rëndësishme. Ndryshimet ligjore, memorandumet që janë bërë duket që kanë ndikuar për mirë dhe kanë qenë me vlerë, duke para vetëm nga gjelbërimi dhe nga hovi që kanë marrë pyjet. I është dhënë një frymëmarrje natyrës, florës, faunës, territorit në përgjithësi duke ja rritur shumëfish potencialin për jetë më normale të qytetarëve. Sepse në shkretëtirë nuk jetohet?! Mbrojtja e këtyre pasurive natyrore me të cilat na ka bekuar Zoti është detyrë e jashtëzakonshme dhe një prioritet i madh. Ne do të angazhohemi fort, IKMT-ja, Policia e Shtetit e kanë tashmë në krye të prioriteteve punën për mbrojtjen e territorit”, tha ai.

Lleshaj shtoi se “rreziqet që e kërcënojnë, së pari lidhen me papërgjegjshmërinë në shfrytëzim. Ata që shfrytëzojnë, ata që fitojnë nga territori, janë dëmtuesit, mëkatarët, nganjëherë edhe kriminelët më të mëdhenj të tij. Nuk është përmendur për shumë vite me seriozitetin e duhur fjala “krim mjedisor”. Krimi në mjedis është një krim i parashikuar nga KP, janë rreth 19 nene në KP që e parashikojnë. Ne jemi të fokusuar që në këtë fushë të orientojmë burime të shumta të policisë dhe të IKMT-së, për të goditur fort të gjithë ata që “presin” degën në të cilën jetojmë ne të gjithë.IKMT-ja tashmë është e riorganizuar, po përfundon edhe një fazë të dytë të riformatimit të plotë në personel, dhe të gjitha degët territoriale, ose lokale të IKMT-së do të jenë të atashuara pranë DVP-së, ose komisariateve përkatëse. Dhe do të jenë nën drejtimin e përgjegjësinë operacionale të drejtuesve të policisë, me qëllim që të mos të ikim në dy drejtime të ndryshme, por të ecin në një drejtim të dy institucionet. Të godasin me një shpatë që ka dy tehe: një teh është IKMT-ja, e cila godet në mënyrë administrative dhe tehu tjetër është Policia që godet në mënyrë penale”.

“Kjo bëhet për të gjitha ata që se kanë kuptuar ende, apo nuk duan ta kuptojnë që mjedisi është pasuria jonë e përbashkët dhe nuk mund të lejojmë ta shkatërrojmë njëri apo tjetri për t’u pasuruar në mënyrë të paarsyeshme. Pra për këdo që do të kapet në shkelje do të ketë dy masa të forta: një ndjekje penale dhe një masë administrative të “thekur”, gjoba të forta, të pakundërshtueshme, të panegociueshme nga IKMT-ja.Një çështje e rëndësishme janë pyjet si një potencial i madh i Matit dhe i Dibrës, dhe vetë çështja e pyjeve mbetet i prioritet i madh. Pastaj është ndotja e ujërave, e lumenjve, pasuri e jashtëzakonshme që nuk mund të shndërrohet në kanale ujërash të zeza. Mbetjet që hedhim në lum na kthehen mbrapsht në tryezë, në perime, në fruta, në ujin e pishëm, ose e gjejmë kur shkojmë atje në Tale, në plazh. Tjetër çështje e rëndësishme është çështja e mbrojtjes nga shfrytëzimi pa kriter i minierave. Për fat të keq gjatë këtyre tri dekadave kemi arritur që konceptin e minierës ta degradojmë në absurd. Sot kemi me dhjetëra, e dhjetëra subjekte të cilat shfrytëzojnë mineral në mënyrë të papërshtatshme jashtë kritereve teknike, jashtë kritereve ekonomike, jashtë kritereve ligjore, jashtë kritereve njerëzore nganjëherë”, tha Lleshaj.

“Mbetet detyrë e madhe e PSH dhe IKMT-së për intensifikim të kontrollit në të gjitha zonat ku shfrytëzohen minerale. Mati dhe Dibra janë edhe ndër zonat më të prekura nga ky fenomen”, shtoi ministri.

“Ne kemi një Plan Kombëtar, i cili angazhon të gjitha strukturat dhe institucionet e vendit për t’u përfshirë në këtë luftë, qendrore dhe vendore, shkolla, shëndetësia, mjedisi, inspektoratet etj. Polici sigurisht. Puna po vazhdon e po vijohet me intensitet të shtuar sepse janë shtuar edhe kapacitetet, më shumë mjete, drone, helikopterë dhe më shumë kohë se vitin e kaluar, pasi vjet kishim edhe emergjenca të tjera”, tha Lleshaj.//atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com