Loading...

Mbahej peng në male nga babai që prej 2018-ës, Lleshaj: Sot përfundoi kalvari i rëndë i një fëmije

“Sot përfundoi një kalvar i rëndë i një fëmije, i cili mbahej peng në male nga… babai i tij, që prej nëntorit të vitit 2018”.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili u shpreh se, “nga sot ky fëmijë mund t’i rikthehet jetës dhe nëna e tij e munduar mund të çlirohet nga një makth i tmerrshëm”.

“Le të shërbejë ky lajm pozitiv si një thirrje tjetër për më shumë ndjeshmëri shoqërore kundër dhunës”, theksoi Lleshaj.

“Le të shërbejë ky moment edhe si një thirrje për më shumë burrëri e përgjegjësi, nga ata burra prindër, të cilët duhet të kuptojnë se vendi i fëmijëve është në familje dhe në shkollë”, shtoi ministri Lleshaj.

Ministri Lleshaj shprehu falënderime për këtë operacion të suksesshëm të Policisë në Mirditë.

Strukturat policore të DVP Lezhë dhe shërbimet e Komisariatit Mirditë, pas shumë kontrollesh të zhvilluara për gati një vit e gjysmë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin e shtetasit të shpallur në kërkim.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Kurbneshi”, në kuadër të të cilit pas rreth 72 orësh kërkime në fshat dhe në pyllin e Kurbneshit, u bë e mundur gjetja dhe prangosja e shtetasit Alban Buraku, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, me vendimin nr. 4, datë 05.01.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg”, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të “Gjykatës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Ky shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes L. B., kishte marrë dhe djalin e tyre të mitur, në kundërshtim me vendim e Gjykatës.

Prej nëntorit të vitit 2018, Policia e qarkut Lezhë ka vazhduar punën në mënyrë të pandërprerë për lokalizimin, kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. B. Përveç veprimeve procedurale, forcat policore, që nga data kur është shpallur në kërkim, në mënyrë të pandërprerë kanë vlerësuar me prioritet çdo informacion që jepej për vendndodhjen e tij, duke ushtruar kontrolle, por pa arritur të gjendej personi i kërkuar.

Materialet shtesë në ngarkim të shtetasit A. B., do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com