Loading...

Manja: Vetingu ka rikthyer besimin te drejtësia e re

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha sot se Vetingu është zemra e Reformës në Drejtësi dhe ka kthyer besimin te drejtësia e re.

I ftuar në një emision televiziv, Manja tha se procesi i Vetingut është zemra e procesit të Reformës në Drejtësi për të pastruar sistemin e drejtësisë nga elementë e pa dëshiruar në sistem dhe elementët e kalbur të sistemit.

Në lidhje me konsideratën e tij për sistemin e Vetingut, Manja tha se vjen nga ai sistem. “Nuk ka institucion të pagabueshëm, por procesi i Vetingut me vendimet që ka prodhuar deri më tani është një proces që ka rikthyer besimin e publikut te drejtësia e re që pritet të vijë në Shqipëri dhe do të ketë rezultate të matshme në drejtim kundër luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe në nivele të larta”, tha Manja.

Në lidhje me akuzat e opozitës se mazhoranca po ndikon në vendimet e Vetingut, Manja tha se “për këdo që e njeh në themel reformën në sistemin e drejtësisë dhe mekanizmat që garantojnë distancimin e politikës nga reforma në sistemin e drejtësisë por dhe nga organet e reja të drejtësisë e di shumë mirë se ajo reformë, së bashku me partnerët ndërkombëtarë SHBA/BE është konceptuar në mënyrë të atillë që politika t’i ketë duart larg nga drejtësia e re që pritet. Natyrisht qëndrimi i opozitës në raport me Reformën në Drejtësi me përjashtim të votës së 22 korrikut të vitit 2016, për gjatë gjithë kohës e deri më sot, nuk kanë dhënë asnjë kontribut për zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi. Kjo dihet, është fakt”.

“Është e pranueshme që opozita do të bëjë punën e saj por ka brenda opozitës mjaftueshëm kolegë, juristë, por jo vetëm juristë, që e dinë shumë mirë që Reforma në Drejtësi dhe mekanizmat kushtetues e ligjorë, garantojnë pavarësinë e kësaj reforme nga politika”, përfundoi Manja. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com