Loading...

Manastirliu: Nuk diskutohet momentalisht kthimi pas, kemi transmetim komunitar nga mosrespektimi i masave

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se shtimi i rasteve të reja nuk vjen si pasojë e shtimit të testimeve, por është pasojë e hapjes dhe mosrespektimit të protokolleve të sigurisë.

Në një intervistë televizive Manastirliu theksoi se “është një situatë që reflekton rihapjen dhe ekspertët e epidemiologjisë konsiderojnë disa faktorë, të cilët kanë shtuar rastet pozitive ditore që lidhen me mosrespektimin e protokolleve të sigurisë”.

“Aktualisht Komiteti i ekspertëve nuk ka vlerësuar si opcion kthimin mbrapa, por ne do të jemi në një vlerësim dinamik të situatës. Për momentin nuk mund të thuhet se ekziston ideja e kthimit mbrapa, pasi ky virus është i paparashikueshëm dhe do të jemi duke e vlerësuar dhe sipas shkallëve të vlerësimit do të marrim dhe masat”, u shpreh ajo.

“Testet nuk janë qëllim në vetvete, por janë një rrjedhojë dhe një arsye e domosdoshme për t’i bërë në rast se ka një hetim epidemiologjik për t’u bërë. Gjatë dy javëve kemi patur grumbullime, festa në familje, persona që kanë shkuar në ceremoni mortore, kemi vatra familjare dhe në institucione. Ne e kemi thënë, ky është një normalitet i ri në strategjinë e rihapjes, parashikon protokolle rigoroze për t’u respektuar. Duhet vijuar distancimi fizik, higjiena, mbajtja e maskave, të gjitha këto janë të vendosura në protokolle. A janë zbatuar këto protokolle? Këtu patjetër një pjesë e madhe e ka zbatuar, siç ka edhe protokolle që janë zbatuar pjesërisht, për të cilët ne duhet të tregojmë më shumë kujdes”, – nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, “përgjegjësia individuale jo vetëm në këtë epidemi, por në të gjithë epidemitë e ndodhura ndonjëherë ka shumë të bëjë kur flasim për ecurinë e saj”.

“Jemi në një transmetim komunitar sidomos në Tiranë, Shkodër, Durrës që janë bashki më të riskuara në raport me të tjerat lidhur me transmetimin komunitar. Përgjegjësia kryesore e strukturave të shëndetësisë dhe e jona gjatë gjithë epidemisë është sigurimi që personeli shëndetësor të jetë i mbrojtur, të ketë gjithë materialin e mbrojtjes personale, në mënyrë që të zbatojnë protokollet. Kur ne jemi të lirë, flasim për qytetarët, ekspozimi kundrejt virusit është më i madh, intensiteti i lëvizjes po ashtu, takimet dhe kontaktet. Por edhe në sistemin shëndetësor ndodhi e njëjta gjë, sepse ne e hapëm sistemin shëndetësor, nuk ishim më si në karantinë kur bëheshin ndërhyrjet e planifikuara, konsultat online. Jo vetëm kaq, por spitalet janë struktura ku nuk vijnë persona të shëndetshëm, por edhe me shumë patologji”, – tha ministrja.

Sipas saj, ky nuk është një fenomen që ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali në spitalin “San Rafaelo”, ka ndodhur e njëjta gjë në Spanjë, madje edhe në Gjermani.

“Ne do të jemi të rrezikuar, nëse nuk zbatojmë protokollet dhe vijojmë të mendojmë se virusi nuk është prezent dhe nuk ka ekzistuar”, – tha ajo.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se aktualisht në spitalin Infektiv janë rreth 50 të shtruar me COVID-19, kemi vetëm një pacient të intubuar dhe 6 pacientë në terapi intensive”.

E pyetur nëse rrezikojmë t’i kalojmë 80 të shtruar, ministrja tha se “nëse kjo ndodh, Spitali Infektiv ka 120 shtretër kapacitetet. Kemi COVID-2 tek Spitali Infektiv , COVID- 3 dhe COVID-4, që në total kanë kapacitet për 550 shtretër”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com