Loading...

Lufta antikanabis/ Procedimet penale jo vetëm për kultivuesit, por edhe për zyrtarët administrues të territorit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një komunikimi me drejtuesit qendrorë dhe drejtorët vendorë të Policisë dhe ata të Kufirit dhe Migracionit për luftën antikanabis, masat kundër migracionit të paligjshëm, si dhe çështje të rendit e sigurisë publike, theksoi se integriteti i Policisë është formula drejt suksesit.

Ministri Lleshaj e nisi komunikimin me një çështje që, siç tha ai, ka filluar të marrë vëmendje të shtuar, migracionin e paligjshëm dhe trafikimin.

“Ditët e fundit është goditur një rrjet trafikimi emigrantësh të paligjshëm, rrjet që përfshinte dhe punonjës e drejtues të lartë të policisë së shtetit. Lufta e Policisë së Shtetit për të goditur rastet e inkriminuara në radhët e saj në dobi të rritjes së integritetit të saj është prioritet, pasi integriteti është formula e vetme që do na çojë tek suksesi dhe misioni i Policisë së Shtetit”, – tha Lleshaj.

“Migracioni ka pësuar rritje, ashtu si në të gjithë Europën. Flukset migratore shndërrohen edhe në viktima të trafikut dhe duke rritur veprimtarinë kriminale. Kjo veprimtari kërkon një vëmendje të shtuar të policisë dhe Ministrisë së Brendshme”, – vijoi ai.

“Mbetet detyrë e madhe që të gjitha strukturat, por veçanërisht të migracionit dhe kufirit, policia kriminale dhe e rendit të rrisin bashkëpunimin me njëri-tjetrin, të forcojnë kontrollet dhe punën operative për të goditur, aty ku është e nevojshme të goditet. Rasti i para disa ditëve nga SHBÇA është një sinjal që duhet vlerësuar nga të gjithë për të parë nivelin e angazhimit integritetit dhe përgjegjësinë për ushtrimin e detyrë për ata që kanë përgjegjësi të kësaj natyre. Duhet në mënyrë të fortë të merren masa për migracionin e paligjshëm dhe veprimtarisë kriminalë që fshihet pas. Jemi bërë dëshmitarë të pranisë së këtyre emigrantëve që lëvizin lirshëm në rrugët e vendit, të pa kontrolluar, pa adresuar. Ky kontingjent personash, duhet të adresohet dhe të merren masat përkatëse ligjore, që ky fluks të ndalet që në kufi dhe sipas kritereve ligjore, për ata që kanë vërtetë nevojë”, – theksoi ministri Lleshaj.

Lidhur me luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, Lleshaj tha se fundi i qershorit është dhe limiti për ta mbyllur këtë betejë.

“Tentativa për ta mbajtur gjallë këtë fenomen nuk ka vdekur. Fenomeni është goditur rëndë. Por, shpresat e ndokujt për të gjetur hapësirë nuk ka vdekur. Informacionet e ndryshme që marrim edhe për këtë vit tregon se ka tentativa të shkurtra, që konsistojnë në zonat të ndryshme të vendit të cilat tregojnë që nevoja për një agresivitet të shtuar në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është e lartë dhe duhet të merren masat e nevojshme për azhornimin e planeve, që ekzistojnë dhe për t’i zbatuar me efektivitet të lartë”, – tha Lleshaj.

“Shtimi i kapaciteteve, dronet, monitorimet ajrore dhe përmes bashkëpunimit me FA, duhet të shërbejnë si motivim për të rritur intensitetin e luftës në këtë sektor që duhet të mbyllet shumë shpejt. Ne duam që brenda muajit qershor të mbyllet përpjekja e Policisë së Shtetit me kanabisin. Pas kësaj s’do merremi më me bimët, por me personat përgjegjës. Lufta ndaj kanabisit nuk është e vetmja përgjegjësi e Policisë së Shtetit, që është organ ligjzbatues. Kjo do të thotë që policia duhet të kujdeset për veprimtarinë kriminale që në thelbin e saj ka shumë aktorë, mes të cilëve kemi edhe zyrtarët që administrojnë territorin. Kërkohet që për çdo rast kultivimi të kanabisit në çdo cep të territorit të nisin procedimet penale jo vetëm për trafikuesit e kultivuesit, por edhe për zyrtarët që janë në atë cep të territorit ku kryhet ajo veprimtari kriminale”, – vijoi Lleshaj.

“Kemi parë gjatë kësaj periudhe që ka patur rezonanca të ndryshme nga autoritete vendore, që shpesh kanë qenë mjaft bashkëpunuese, ku policia është mbështetur në informacion me kërkesa e ndihmë në terren, por ka patur dhe raste kur autoritetet vendore e konsiderojnë këtë si punë të policisë, gjë që nuk pranohet, pasi në çdo rast ku identifikohet një vepër penale e kësaj, duhet të referohen jo vetëm personat e kapur, por dhe përgjegjësit e territorit. Lufta ndaj kanabisit bëhet në kuadër të një plani kombëtar për luftën ndaj kanabisit dhe angazhimi duhet të jetë kombëtar. Detyra juaj duhet të jetë për të identifikuar ata të cilët nuk marrin pjesë në këtë detyrim ligjor dhe ti vini përpara përgjegjësisë ligjore ato që hezitojnë për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë, apo bashkëpunimit kriminal apo të papërshtatshëm me elementët kriminal”, – u shpreh ministri i brendshëm.

Lufta ndaj krimit mjedisor duhet të shihet me prioritet, tha ministri Lleshaj.

“Konstatoj për fat të keq se kjo luftë nuk ka gjetur vëmendjen e duhur. Tashmë jemi në situatën që krimi mjedisor është vepër penale që parashikohet qartësisht nga një numër i madh nenesh në kodin penal. Duhet të theksoj që në pikëpamje të politikës penale. Dëmi publik në shumë raste tejkalon ndjeshëm dëmin që sjell nga krime të caktuara. Dëmi që vjen nga krimi mjedisore sjell pasoja ekstreme për jetën e shëndetin e qytetarëve dhe goditja ndaj tij duhet të jetë pa kompromis, e pa ndërprerë. Ndotja e lumenjve, një ndër fenomenet më të rënda në Shqipëri. Çdo gjë që ne hedhim në lumë, ose e gjejmë në det, ose na kthehet në tryezë, ku ushqehemi”, – tha ai.

“IKMT çdo javë duhet të realizojë raporte me shkrim për aksionet e kryera në të gjithë vendin, në çdo drejtori vendore, ku duhet të ketë përditë ndërhyrje kundër krimit mjedisore, aq më tepër kur hyjmë në sezonin turistik, ku synohet të kompensohet sado pak dëmi i shkaktuar tek qytetarët nga izolimi për shkak të pandemisë. Për turizmin mbetet detyrë e rëndësishme që policia të mbështesë autoritetet e ndryshme edhe këtë sezon veror”, – tha ministri Lleshaj

Sa i takon OFL, Lleshaj tha se “Operacioni Forca e Ligjit, është maja e shigjetës që duhet të godasë krimin e organizuar aty ku atij i dhemb fort, financat dhe pasurinë e tij. Pati një periudhë të ndryshimit të ritmit për shkak të pandemisë dhe kërkohet që të gjithë strukturat të vijojnë me ritëm të shtuar për të vijuar misionin e ngarkuar nga ligji për këtë mision. Këtu kërkohet që e gjithë puna të realizohet sipas një radhe ku të parët të jenë ato që kanë llogari më të madhe me ligjin”.

“Ne sigurisht këtë vit kemi treguesit më të mirë sa i takon luftës kundër krimit të organizuar. Shtimi intensitetit të lëvizjes, do të shtojë edhe mundësitë e grupeve kriminale për të goditur. Rastet e ditëve të fundit, tregon që krimi tenton të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme për të goditur”, – tha Lleshaj.

“Drejtoria e standardeve profesionale, SHÇBA si dy trupa të specializuara për integritetin, duhet të vendosin të gjitha ingranazhet në punë, që kushdo të kuptojë qartë që hapësirë për punonjës të cilët nuk meritojnë dinjitetin e uniformës nuk do ketë. Çdo drejtues është përgjegjës për të garantuar që strukturat që ka në varësi dhe që mban përgjegjësi ligjore, duhet të jenë të pastra nga korrupsioni, letargjia… etj.”, – vijoi ministri i Brendshëm. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com