Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi sot një vëmendje të shtuar të strukturave përgjegjëse për të parandaluar ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim në Sarandë, me kryetarët e Bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol, deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.
Duke folur për krimin mjedisor, Lleshaj “kërkoi që strukturat përgjegjëse të bëjnë maksimumin kundër krimit mjedisor”. Ai tha se “Policia e Shtetit do të ndërmarrë masat ligjore kundër atyre që kryejnë krim mjedisor, Kodi Penal i Republikës ka 19 nene që adresojnë krimin mjedisor”.
Lidhur me ndërtimet pa leje, Lleshaj tha se IKMT dhe Policia e Shtetit punojnë së bashku për të adresuar këtë problem. “Kundër krimit mjedisor do të ketë gjoba shumë të majme ashtu sikundër edhe përgjegjësi penale. Policia bashkë me IKMT do të marrin masa të plota për ta ushtruar këtë përgjegjësi me seriozitet”, tha ai.
“Vija bregdetare nuk duhet të cënohet më tej. Ne nuk do të lejojmë më asnjë tullë që të vendoset pa leje në vijën bregdetare. Për këtë duhet që drejtuesit përkatës, veçanërisht Policia e Shtetit ta kenë të qartë se e kanë faturë mbi shpinë çdo konstatim për cënim të vijës bregdetare”, tha Lleshaj.
Ai garantoi se “nuk do të lejojmë asnjë tullë të re të shtohet përgjatë vijës bregdetare, apo ndërhyrjet nëpër plazhe”. “Policia dhe IKMT e kanë të qartë se këtu nuk ka asnjë hapësirë për të diskutuar. Ndërtimet pa leje që janë jashtë çdo procesi legalizimi nuk tolerohen, ndërsa ato që janë futur në proces legalizimi nuk bëhet fjalë që ne të ndërhyjmë. Por, asnjë tullë apo bankinë private nuk mund të ndërtohet në vijën bregdetare. Prekja e konfiguracionit natyror të vijës bregdetare është e papranueshme”, tha ai.
Lleshaj shtoi se “Policia ka po ashtu detyra të shtuara edhe në kontekstin e sigurisë në plazhe”. “Këtë vit të shtohen masat e Policisë edhe sa i takon kontrollit në plazhe”, tha Lleshaj.
Ministri u shpreh se “siguria është prioritet, ndaj Policia do të godasë edhe krimin e vogël, i cili është i papranueshëm sidomos kur ndodhe dhe në zonat minoritare “.
Lleshaj tha se “ne kemi një ndër Policitë më të vogla në rajon, por qeveria po vijon përpjekjet për shtimin e numrit të policëve, që të afrohemi me numrin e policisë për frymë të vendeve europiane”.
“Kryeministri ka dhënë miratimin e tij për shtimin e mbi 500 punonjësve të rinj policie. Me këtë shtojmë kapacitetet”, tha Lleshaj, ndërsa nxiti edhe përfshirjen në radhët e Policisë nga zonat minoritare./atsh