Kuvendi miratoi sot në seancë plenare tri projektrezoluta, tre akte normative, katër projektligjet e paketës penitenciare dhe një projektvendim.
Gjithashtu Kuvendi votoi kundër një projektligj dhe dy dekrete të Presidentit të Republikës.
Seanca e sotme plenare, çeli diskutimet me paraqitjen e raporteve të veprimtarisë vjetore të tre institucioneve të pavarura: KLP, KLGJ dhe ERE-s.
Rezoluta për KLP, u miratua me 92 vota pro 13 kundër dhe 7 abstenim.
Rezoluta për KLGJ u miratua me 91 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenim.
Rezoluta e Kuvendit për ERE, u miratua me 87 vota pro 14 kundër dhe 11 abstenim.
Seanca vijoi me shqyrtimin e tre akteve normative.
Akti Normativ “Për pajisjen e shtetasve shqiptare me pasaportë për jashtë shtetit” u miratua me 98 vota pro 10 kundër dhe 3 abstenim.
Akti Normativ “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” u miratua me 92 vota pro 11 kundër dhe 9 abstenim.
Akti normativ “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” u miratua me 94 vota pro 13 kundër dhe 5 abstenim.
Në vijim të rendit të diskutimeve, seanca shqyrtoi dhe katër projektligjet e paketës penitenciare.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”, u miratua me 91 vota pro 13 kundër dhe 4 abstenim.
Projektligji “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, u miratua me 87 vota pro 12 kundër dhe 6 abstenim.
Projektligji “Për Policinë e Burgjeve”, u miratua me 91 vota pro 8 kundër dhe 5 abstenim.
Projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, u miratua me 92 vota pro 9 kundër dhe 3 abstenim.
Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe të punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve, nëpunësve qe kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 – 08.12.1990”. Projektligji nuk u miratua në parim, me 72 vota kundër, 30 pro dhe 6 abstenim.
Seanca plenare e ditës së sotme votoi kundër dhe dy dekrete presidenciale:
Dekreti i Presidentit të Republikës “Për shërbimet e pagesave”, u rrëzua me 89 vota kundër, 14 pro dhe 7 abstenim.
Dekret i Presidentit të Republikës “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncensionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano Durrës, miratuar ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncensionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” u rrëzua me 85 vota kundër 16 pro dhe 8 abstenim.
Në përfundim të punimeve të ditës së sotme, seanca mori në shqyrtim Projektvendimin “Për ngritjen e nënkomisionit për monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit dhe kontrollin e tij, në përbërje të komisionit të përhershëm parlamentar për Ekonominë dhe Financat” i cili në përfundim të votimeve u miratua me 99 vota pro 5 kundër dhe 6 abstenim./atsh