Loading...

Kërkesat e maturantëve/ Qendra e Shërbimeve Arsimore: Të gatshëm të ngremë grupe vlerësimi për analizimin e pretendimeve të tyre

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) shprehu sot gatishmërinë të ngrejë, në çdo moment, grupe vlerësimi me mësues me përvojë nga gjimnazet e vendit, të cilët së bashku me hartuesit e testit, do të analizojnë pretendimet e
ngritura nga maturantët.

Në një reagim mbi kërkesën e depozituar sot në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga maturantët, MASR thekson se “QSHA garanton profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e specialistëve kontribues në hartimin e testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë, të cilët mbështeten në eksperienca dhe metodologji shkencore të sprovuara ndër vite”.

QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se ssnjë prej pyetjeve të testit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk është jashtë programit orientues.

Ky program është hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP).

“Identifikimi i gjeneraliteteve për çdo maturant është bërë për dy arsye: së pari, procesi i korrigjimit është digjitalizuar, çka do të thotë se fletëpërgjigjja skanohet dhe, njëherazi, përgjigjet e dhëna vlerësohen nga sistemi kompjuterik dhe jo nga vlerësues fizikë. Kjo metodë përdoret në të gjithë provimet e standardizuara
(p.sh. SAT, TOEFL, IELTS, etj.), ku testi gjithashtu është i personalizuar, dhe siguron besueshmëri dhe saktësi të procesit të korrigjimit”, – nënvizon QSHA.

Së dyti, QSHA shprehet se ka krijuar mjedise provimi, duke përcaktuar numrin dhe renditjen e nxënësve nëpër klasa.

“Kjo ka shmangur vonesat në shpërndarjen e testeve, pasi
secili nxënës ka marrë menjëherë në dorë testin e personalizuar, dhe ka bërë të mundur që provimi të fillojë njëkohësisht në të gjitha mjediset. Veç të tjerash, materialet e provimit janë hapur në klasë përpara nxënësve dhe kjo procedurë është ngritur për të garantuar transparencën e procesit”, – nënvizon QSHA.

Për sa i takon personalizimit të testeve, QSHA sqaron se në të gjitha rastet, edhe nëse përdoren barkode, testet mund të jenë të identifikueshme lehtësisht nga QSHA.

“Institucioni e ndërton procedurën e vlerësimit të përgjigjeve të nxënësve dhe publikimin e rezultateve të tyre mbi protokolle sigurie tejet të larta, të cilat nuk cënojnë konfidencialitetin e të dhënave. QSHA mbetet në dispozicion të çdo kërkese nga ana e maturantëve për të parë jo vetëm saktësinë e vlerësimit, por edhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave”, – tha QSHA.

Sipas QSHA-së, provimet kombëtare, janë vlerësime të jashtme, që matin në mënyrë të standardizuar arritjet e nxënësve në përfundim të arsimit të mesëm të lartë, përkundrejt vlerësimit të brendshëm
të shkollës.

“Si të tilla, ato priren të garantojnë një standard vlerësimi në nivel kombëtar. QSHA garanton me përgjegjësi të plotë se, edhe në rastin e shkollave profesionale, testi është bazuar në programin orientues përkatës”, -përfundon reagimi i QSHA-së.

Maturantët protestuan sërish sot përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar rivlerësim të tezës të provimit të gjuhë-letërsisë.

Lidhur me protestën e maturantëve ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili i bën thirrje Komitetit të Maturës Shtetërore që në përmbushje të detyrimit ligjor dhe përballë kërkesave të studentëve, në transparencë të plotë, të marrë sa më parë në shqyrtim të gjitha shqetësimet e tyre dhe t’u përgjigjet me përgjegjësi të plotë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com