Mjeku Tritan Kalo ka apeluar sot qytetarët për t’u mbrojtur ndaj koronavirusit.
Ai vë theksin se COVID-19 prek çdo moshë, siç ishte rasti i 34-vjeçares nga Librazhdi, e ndërsa u bën thirrje që të mos humbin vlerësimin për mjekët.
“Jetët tona janë të pakthimta dhe shumë të vlefshme. Mos vijoni të bëheni pre e idiotësirave të mos ekzistencës së Sars-Cov2/COVID-19”, ka thënë ai.
“Bëhet fjalë për një virus dhe një sëmundje me dy kuptimshmëri njëthelbësore, e cila duhet marrë sa më seriozisht. Corona-virus = Virus me Kurorë mbi kokën e tij, por edhe mbi kokën tonë nëse largohemi nga kjo jetë e nuk tregojmë kujdes ndaj një virusi të tillë. CO-VID = Bashkë – Zbrazëse e shëndetit si dhe e jetëve tona, nëse përsëri nuk bëjmë kujdes ndaj një infeksioni të tillë shëndet dhe jetëmarrës”, ka theksuar Kalo.
“Besoj se dëgjoni dhe informoheni se çfarë po ndodh në botën mbarë, por më pak vëmendje ndaj lojrave me shifrat dhe interpretimin e tyre shpesh konfuz prej shumë gjithollogëve. Ju rikujtojmë se Sars-Cov2/Covid-19 prek çdo moshë. Një sëmundje e tillë mundet të marrë jetën e pacientëve të çdo moshe. Flas nga ajo që unë dhe kolegët e mi të nderuar në COVID-1/Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT “Nënë Tereza”, po vijojmë të përjetojmë në vijën e parë të përplasjes me këtë infeksion. Durimi dhe përkujdesja ndaj vetes dhe të tjerëve, mbeten thelbësore edhe sot e kësaj dite për tu përballur me këtë sfidë”, ka shtuar ai.
“Mirëkuptimi dhe mirëbesimi reciprok në këtë sfidë, me këtë “flamë mbarëbotërore” duhen vlerësuar për çdo sekondë, sepse janë dy “armët” tona më të sigurta në këtë betejë sociale. Mos e zhbëni për asnjë çast për ndonjë qejfmbetje jo thelbësore, vlerësimin tuaj ndaj heroizmit dhe vetësakrifikimit të mantelbardhëve, infermierëve, farmacistëve, sanitareve, barrelmbajtësve, teknikëve të imazherisë, punonjësve të koordinimit e administratës si dhe punonjësve të rendit, të cilët venë në rrezik jetët e tyre për të shpëtuar shëndetin dhe jetët tuaja. Bashkë dhe vetëm bashkë do mundemi me siguri të mbërrijmë në fund të tunelit pak sa të gjatë, por ku edhe drita jeshile për daljen mbanë në këtë sfidë Sars-Cov2/Covid-19 vijon të ndrijë”, ka thënë Kalo./atsh