Në Shqipëri është gjendur koloni e dallëndyshes së detit që përmban deri në 3.3 % të popullatës së kontinentit europian të këtij lloji.
Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se “ky është një ndër raportimet më interesante që mbase është publikuar ndonjëherë mbi dallëndyshen e detit (Glareola pratincola) në vendin tonë. E thënë kjo, së pari për shkak të numrit të madh të çifteve folezuese që përfaqëson deri në 3.3 % të popullatës së përgjithshme të kontinentit Evropian dhe së dyti, kjo është një koloni krejtësisht e re (e gjetur ne fundsezonin e folezimit të vitit të kaluar) dhe e pa raportuar më parë”.
Sipas kësaj shoqate gjetja e kësaj kolonie së paku 2-fishon numrin e çifteve folezuese të raportura për këtë lloj në vendin tonë deri në vitin 2018.
Dallëndyshja e detit është raportuar si folezuese vetëm në tre zona ligatinore të vendit tonë, dhe përkatësisht në Divjakë-Karavasta, në Lagunën e Nartës si dhe në Ligatinën e Erzenit.
“Është pikërisht kjo e fundit që e vetme përmban më shumë se gjysmën e popullatës folezuese të këtij lloji në Shqipëri”, shprehet shoqata.
Vullnetarë të shpendëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me PPNEA dhe Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier (sipas zonave përkatëse) kanë kryer hartëzimin e saktë të kolonive si dhe monitorimin e popullatës folezuese të këtij lloji.
Të dhënat për Divjakë-Karavastanë dhe Lagunën e Nartës do të publikohen në ditët në vijim.
“Ndonëse ky lajm përcjell optimizëm, nuk mund të lihet pa përmendur se habitati folezues i këtij lloji në vendin tonë është i rrallë dhe nga habitatet më të kërcënuara në vend, veçanërisht kur gjendet jashtë zonave të mbrojtura”, – thekson shoqata./atsh