Loading...

“Do të tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt”, Rama: Është shumë më e madhe ajo që sot duhet të na bashkojë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të tërheqë padinë që ka ngritur ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Në konferencën për shtyp që mbajti në Prishtinë pas vizitës zyrtare dyditore, kryeministri Rama sqaroi se “Ramushit i kam kërkuar takim si gjithë të tjerëve për ta vizituar në selinë apo shtëpinë e tij, siç pata kënaqësinë të vizitoja Isa Mustafën në shtëpi”.

“Si paditës te i padituri, besoj nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën. Më tepër do të doja të diskutoja me të, për këtë çështje që është më e madhe se unë, Ramushi dhe se emrat e përveçëm, sepse implikimet e kësaj historie mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se e kishte vënë në dijeni Haradinajn se nuk do të bënte komunikime me median gjatë takimeve, por do të kishte një konferencë në fund të vizitës, ku do ta bënte publike se do të tërhiqte padinë.

Kryeministri Rama theksoi se tërheqja e padisë nuk bëhej se ajo ishte një gjë e vogël për të, por sepse është shumë më e madhe ajo, që sot duhet të bashkojë të gjithë.

Rama tha se Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, apo politikani, por një prej figurave historike dhe ka vendin e vet në histori dhe nuk e heq dot askush, as vet Haradinaj veten e tij, sado kryeministër i keq të ketë qenë.

Më tej, Kryeministri Rama informoi se kishte 22 padi me figura politike.

“Arsyeja është se dëshiroj që të kem mundësinë që djalit tim të vogël t’i lë një tufë fletësh që t’i ketë dhe ta ndihmojnë të kuptojë si mund të interpretojë lajmet e pafundme që do të ndeshë kur të hyjë në google dhe ku do të lexojë për një “monstër” të të gjitha të zezave të mundshme e të paimagjinueshme e mbase mund të mos e ketë mundësinë të më pyesë mua”, theksoi ai.

Rama tha se shpifja ndaj tij , nuk është shpifje e zakonshme. “Mitologjia e pazarit të territorit është një ndytësi, ku historia do të tregojë si një hapësirë debati u transformua në një arenë ku disa shqiptarë u përpoqën që të ‘vrasin’ disa shqiptarë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com