Loading...

Dita e Gastronomisë/ Rama: Kemi plot arsye për të dashur kuzhinën tonë dhe amvisat

Gastronomia shqiptare me identitetin e saj përbën një aspekt të rëndësishëm të kulinarisë, ku pothuajse çdo krahinë ofron specialitetet e saj të veçanta.

Kryeministri Edi Rama sot në ditën e Gastronomisë publikoi një video duke promovuar gatimet shqiptare, që kanë shumëllojshmëri shijesh dhe një menu mesdhetare ku nuk mungojnë bulmetrat, vaji i ullirit, mjalti, prodhimet e tokës dhe ato të detit.

“Mirëmëngjes në ditën e Gastronomisë kemi plot arsye për të dashur kuzhinën tonë dhe amvisat patjetër”, – shprehet Rama.

Kuzhina shqiptare është një përzierje e influencave të kuzhinës turke, asaj ballkanike dhe europiane. Ajo është e njohur për vlerat e larta ushqimore dhe shijen e saj mjaft të mirë

Gatimi i mishit të pjekur, sidomos qengjit dhe përgatitja e byrekëve të ndryshëm është e përhapur në të gjithë vendin. Veçanërisht në krahinat e jugut dhe Shqipërisë së mesme është i njohur përdorimi në shkallë të gjerë i perimeve dhe zarzavateve, vajit të ullirit, erëzave të ndryshme dhe limonit.

Pjatat e peshkut janë të njohura veçanërisht në qytetin e Shkodrës (tava e krapit), Pogradecit (korani me arra dhe lloje të tjera), zona bregdetare e Jonit dhe Adriatikut etj.

Në Shqipëri gatuhen ëmbëlsira të shumëllojshme, shumë prej të cilave janë të përbashkëta edhe për vendet e tjera ballkanike si (ballkavaja, kadaifi, sheqerparet, hashurja etj.

Si rezultat e klimës së përshtatshme mesdhetare Shqipëria është e njohur për kultivimin e rrushit dhe prodhimit e një varieteti verërash të kuqe dhe të bardha. Ndër më të përmendurat janë ato Merlot, Kabërnet, Pinot Nero, Kallmet, Shesh i Zi, San Gioveze, Riesling, Shesh i Bardhë etj.

Pija më tradicionale alkoolike është rakia (një lloj Brandy i prodhuar nga rrushi). Në disa zona të Shqipërisë prodhohet edhe rakia e kumbullës (Korçë, Dibër), ajo e manit (Boboshticë etj). Shqipëria është gjithashtu e njohur edhe për prodhimin e konjakut Skënderbej, i përmendur për shijen dhe aromën e tij. Konjaku shqiptar ka fituar gjithashtu edhe çmime ndërkombëtare.

Ndër pijet jo alkoolike është për tu përmendur boza (një pije freskuese me bazë misrin), e prodhuar në veri të vendit sidomos në krahinën e Kukësit si dhe rehania, e cila vjen nga lëngu i rrushit dhe është pije tipike e Skraparit.

Turistët e shumtë që vizitojnë vendin tonë, ushqimet tona tradicionale i pëlqejnë shumë dhe janë një ndër gjërat e para në listën e të preferuarave prej tyre nga Shqipëria përveç bukurive natyrore./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com