Loading...

“Dekorata e Artë e Shqiponjës” për kolonelin veteran Myfit Guxholli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot kolonelin veteran Myfit Guxholli me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacion: “Për veprimtarinë e shquar si luftëtar i lirisë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe për kontributin e tij të veçantë në krijimin dhe konsolidimin e artit të luftës dhe shkencës topografike ushtarake shqiptare. Në vlerësim të mbrojtjes dhe mbajtjes gjallë të idealit atdhetar në drejtim të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të L.A.N.Ç.-it”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, duke iu drejtuar të pranishmëve mes të cilëve ishin veteranë të LANÇ-it, drejtues dhe anëtarë të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve dhe pjesëtarë të familjes Guxholli, Presidenti Meta u shpreh se “Kolonel Guxholli, një ish-student i Liceut të Korçës, në momentet më të vështira dhe të errëta për vendin, i shtyrë nga atdhedashuria dha një kontribut patriotik, u bashkua me armë në dorë në Luftën e lavdishme Nacionalçlirimtare duke shërbyer edhe si kuadër i forumeve më të larta të Brigadës IV Sulmuese.

“Si një ndër pedagogët më të shquar dhe Shef Katedre në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve Tiranë, dhe tani si kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, kontributi dhe puna e kolonel Guxhollit në shërbim të vendit është e jashtëzakonshme dhe tejet e vyer”, theksoi Meta.

“Më lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë edhe për kontributin tuaj në modernizimin dhe konsolidimin e Ushtrisë Shqiptare. Është i njohur kontributi juaj si kryetopograf, shef seksioni dhe nënkryetar i degës së Topografisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare; si bashkautor, së bashku me specialistët e huaj në projektimin e zbatimin në praktikë, në terren të triangulacionit shtetëror (arshiva IGU/ 1954); si pedagog, shef cikli dhe shef i katedrës së topografisë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve”, tha Meta.

“Por sot, unë dua të vlerësoj edhe aktivitetin tuaj të pasur shkencor e pedagogjik, si autor i tekstit mësimor ‘Gjeodezia’ të përshtatur për studentët e specialitetit ‘topograf’ në Akademinë ‘Skënderbej’, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme që studiojnë gjeodezinë në këtë Akademi. Këto janë një trashëgimi e çmuar që zënë vend nderi në analet e historikut të Forcave tona të Armatosura”, nënvizoi Presidenti Meta.

Duke e falenderuar Presidentin Meta për vlerësimin, Kolonel Myfit Guxholli në fjalën e tij përshëndese theksoi ndër të tjera se, “kjo Dekoratë e lartë i takon të gjithë atij brezi që e nisi jetën nga lufta për të kontribuar për çlirimin e Atdheut dhe përparimin e tij”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com