Loading...

Biznesi i vogël do jetë “filtri” i biznesit të madh

Kryeministri Edi Rama tha sot se do të hiqet Tatimfitimi dhe TVSH për biznesin e vogël, dhe biznesi i vogël do jetë “filtri” i biznesit të madh.

Këtë deklaratë Kryeministri Edi Rama e bëri sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, në lidhje me çështjen e Eurobondit.

Ai tha se “nëse dje ne do kishim marrë jo këtë rezultat, por do kishim marrë rezultatin që morën ata që neve na thonë se dje dështuam kur ishin këtu ku jemi ne, unë nuk do ta thosha këtë sot”.

Rama shtoi se “ajo që kemi marrë dje nga tregjet është mundësia jonë për të zgjeruar bazën tonë të financimit dhe të investimeve. Pse nuk e thamë që në fillim bashkë të dyja: edhe Tatimfitimin dhe TVSH, për arsye të llogarive, se janë të gjitha llogari, pra llogari të bëra me aritmetikën që kemi mësuar të gjithë në shkollë, jo me aritmetikën që rruga drejt ngjitjes në karrierë kalon nga 7×7=42”.

“E dyta, sigurisht që heqja e taksës së Tatimfitimit dhe TVSH komplet nga ‘shpatullat’ e biznesit të vogël, nuk do të thotë nxjerrjen e biznesit të vogël nga sistemi, do të thotë riaxhustim i sistemit dhe detyrimi i biznesit të vogël për të qenë rrjeti më i madh dhe më i besueshëm i “inspektorëve të shtetit” në raport me biznesin e madh. Pra, kjo do të shoqërohet me një sistem i cili nuk përjashton absolutisht fiskalizimin, biznes-biznes. Që do të thotë, hapi i parë i fiskalizimit, pra i gjithë digjitalizimit të marrëdhënieve dhe transaksioneve, do jetë biznes-biznes, nuk do jetë qytetar-biznes-viznes-qytetar; që do të thotë që biznesi i vogël nuk do të jetë më si ato kutitë kineze apo kukullat ruse që hap një, del një tjetër, hap një, del një tjetër, duke u përdorur nga biznesi i madh, por do të jetë ‘filtri’ për të parë gjithë lëvizjet e biznesit të madh. Pra, në këtë aspekt është një sistem i tërë që duhet ngritur, por principi është ky. Sot e thashë këtë, jo se e lançova sot, kjo do lançohet në planin e madh zyrtarisht, por e thashë si shembull”, tha ai.

“Tatimfitimi dhe TVSH, ajo që humbasim nuk është e vogël për buxhetin sot, por nuk është humbje për atë që fitojnë punëkrijuesit në Shqipëri dhe nuk mund të quhet humbje”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com