Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot pas akuzave që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Në reagimin e tij, Basha shprehet se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për liri përballë një agresori që nuk kurseu asgjë, nga gjenocidi, tek spastrimi etnik kundër popullit të Kosovës. Kohë pas kohe shqiptarëve iu desh jo vetëm të luftojnë për ta fituar lirinë, por edhe ta mbrojnë atë”.
“Kam bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë. Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”, tha ai. /atsh






