Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i kërkoi sot kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha t’i kërkojë falje shqiptarëve për lajmin e rremë për konteinerët me mbetje nga Italia në Shqipëri, i cili u zbulua nga Antimafia italiane.
Balla publikoi një video, ku shfaqet Lulzim Basha në ‘Çadrën e Lirisë’ në bulevard, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka lejuar të futen në Shqipëri në mënyrë të fshehtë 1300 konteinerë me mbetje të rrezikshme.
Balla tha se “Lulzim Bashës duhet t’i vijë turp që u bë bë tyta e një “Fake News”-i të zbuluar nga Antimafia italiane.
“Luli Basha duhet t’i vijë turp dhe t’u kërkojë falje shqiptarëve që u bë tyta e “Fake News”-i për konteinerët nga Italia në Shqipëri. Antimafia italiane zbuloi skemën e turpshme”, tha Balla.
Një ditë më parë mediet publikuan vendimin e prokurorisë italiane e cila arrestoi 8 persona lidhur me ‘Fake News’-in e publikuar 3 vjet më parë nga faqja italiane “Pianeta Italia News” lidhur me lajmin se 1400 kontejnerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t’u groposur.
Drejtësia italiane konfirmoi duke çuar 8 persona në pranga dhe zbuluar se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla
Gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” botoi një shkrim ku thekson se ish-senatori Sergio De Gregorio, i arrestuar si pjesë e një hetimi të DDA në Romë, në vitin 2017 kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili i kishte ngarkuar ish-senatorit detyrën e “organizimit të një fushate denigrimi kundër qeverisë shqiptare”, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Antimafia italiane deklaron se “njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare në mediet e vendit fqinj. Fushata denigruese nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare”./atsh