Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë vijon punën për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet, si dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët.
“Sektori i Kanalizimeve pastroi sot rrjetin në “Lungomare” ku punonjësit kryen kontrollin e linjës me telekamerë, si dhe larje të rrjetit me autosondë”, bëri të ditur UK Vlorë.
Uk Vlorë thekson se “punonjësit punuan edhe për remontin e stacionit të kanalizimeve të ujërave të zeza Nr. 208 tek ish-Delfini. Po ashtu, u punua për pastrimin e këtij stacioni, për ta bërë sa më funksional”.
Ndërkohë që ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka nisur prej ditës së djeshme një kontroll në të gjithë qytetin e Vlorës dhe në njësitë administrative për të evidentuar konsumatorët që shpërdorojnë ujin e pijshëm. 9 grupet e shpërndara në terren do të kalojnë çdo ditë në “sitë” të gjithë territorin e qytetit.
Për shkak të shpërdorimit, disa zona periferike dhe fundore në qytet dhe në Njësitë Administrative, me rritjen e temperaturave hasin probleme në furnizim./atsh