Policia e Vlorës vijon operacionin për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Sipas njoftimit për mediat, Policia e Vlorës gjatë ditës së enjte janë evidentuar dhe gjobitur dy subjekte për shkelje në zonën e Bunavisë, Vlorë.
Dy subjektet e Impianteve të Përpunimit të Inerteve, me administratorët përkatës F. H. dhe V. D., në zonën e quajtur Bunavi, Vlorë, kanë përpunuar dhe transportuar inerte në mënyrë të paligjshme, pasi iu është pezulluar leja e shfrytëzimit të aktivitetit të tyre, dhe pa leje mjedisore.
Në vijim të veprimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka nisur procedimin penal ndaj administratorëve të këtyre subjekteve, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.
Gjithashtu, IKMT ka ndëshkuar subjektet në fjalë me masë administrative, në total 4.000.000 lekë të rinj, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht: Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator F. H. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj; Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator V. D. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj. /atsh