Loading...

Vlora, “zonë e gjelbër”/ Kryebashkiaku Leli: Ndihmuam rreth 2500 familje në nevojë

“Bashkëpunimi ynë me strukturat e tjera të pushtetit lokal, Policinë e Shtetit dhe ato qendrore kanë qenë për t’u lavdëruar dhe garancia e suksesit për të minimizuar rastet e COVID-19 në Vlorë. Sot kemi një Vlorë të gjelbër në një periudhë pandemie globale”.

Kështu u shpreh sot në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili theksoi se “falë këtij organizimi dhe përkushtimi të të gjithëve kemi arritur të kemi sot një Vlorë të gjelbër me pesë raste, që u evidentuan që në ditët e para dhe për të cilat u ndoqën protokollet hap pas hapi dhe në bashkëpunim të përkryer me sistemin shëndetësor”.

Për kryetarin Leli një nga sfidat më të mëdha ka qenë misioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë dhe të moshuarve.

“Është ndjekur çdo procedurë ligjore për të respektuar të gjithë ata njerëz që sipas VKM kishim detyrimin për t’i asistuar. Ditët e para kanë qenë ditë thirrjesh telefonike, që kalonin 1000 në ditë, të gjitha thirrjet janë vlerësuar. Janë trajtuar në total duke përfshirë ndihmën e ofruar nga bashkia e Vlorës dhe bizneset në Vlorë rreth 2500 familje, të cilat u asistuan në këto ditë të pandemisë COVID- 19”, – theksoi Leli.

Sipas tij, ishte një armatë me rreth 100 persona të ndara sipas njësive administrative të Vlorës për të qenë pranë këtyre njerëzve.

Sa i përket rifillimit të mësimit, Leli u shpreh se “kujdesi ynë ndaj njësive arsimore nuk ka ndaluar asnjë moment. Nga e hëna nis mësimi dhe ajo që jemi duke punuar fort është të vendosim të jemi të gjithë bashkë për të respektuar distancat për të minimizuar riskun e përhapjes së COVID 19”.

“Në vende të mbyllura rritet mundësia për përhapjen e virusit dhe duke krijuar hapësira të caktuara dhe për ventilimin dhe ajrosjen kjo mundësi minimizohet”, – shtoi Leli.

Kryebashkiaku Leli mbetet besimplotë dhe se në këtë sfidë do ia dalim të triumfojmë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com