Loading...

Urdhri i plotë për lehtësimin e masave/ Lejohet qarkullimi për këmbësorë dhe makina brenda “zonave të kuqe” në fundjavë, por jo jashtë tyre

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka lëshuar sot urdhëresën në lidhje me lëshimin e masave në fazën dy të pandemisë për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e COVID-19.

Në këtë urdhëresë të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se “lejohet lëvizja në të gjithë vendin për të gjitha kategoritë (këmbësorë, biçikleta, ciklomotorë dhe mjete) pa kufizim orari. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për datën 30-31 maj 2020, ku ndalohet lëvizja nga ‘zonat e kuqe’ në ‘zonat jeshile’ dhe anasjelltas. Lejohet të kryejnë veprimtarinë e tyre të gjithë aktivitetet e nomenklaturës së aktiviteteve ekonomike, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe rregullat e miratuara nga distancomi social dhe masat higjieno-sanitare. Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 1 dhe 2, të urdhrit, bëhet për aktivitete e mëposhtme: klubet e natës, aktivitete kulturore, teatrot, kinematë, pishinat”.

Po ashtu, MSHMS thekson se ndalohen grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjarëve të ceremonisë mortore deri në një urdhër të dytë.

“Hapen pazaret dhe ‘zonat e gjelbra’, duke filluar nga data 01.06.2020. Hapen kurset e formimit profesional, edukimit dhe argëtimit, këndet e lojërave për fëmijë në ambiente të hapura, palestrat e internetet, sipas protokollit të miratuar dhe rregulloret e miratuara për distancat sociale dhe masat higjieno-sanitare, duke filluar nga data 01.06.2020″. Lejohet kryerja e konkurseve për punësim të personelit, konkurset e shkollimit dhe specializimit duke filluar nga data 01.06.2020 sipas protokolleve të miratuara dhe rregulloret e miratuara për distancim social dhe masat higjieno-sanitare. Hapen plazhet vetëm për strukturat akomoduese nga data 01.06.2020. Plazhet publike do të hapen më datë 06.06.2020, duke respektuar protokollet e miratuara dhe rregulloret e miratuara për distancim social dhe masat higjieno-sanitare. Lejohet lëvizja me mjetet e transportit për udhëtarët në hyrje dhe dalje në pikat e kalimit tokësor. Personat që do të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë në pikat kufitare tokësore nuk do të kenë detyrim për vetëkarantinim 14-ditor, me përjashtim të rasteve të veçanta, që do të përcaktohen me urdhër të autoriteteve shëndetësore. Ndalohet transporti publik i udhëtarëve qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas deri në një urdhër të dytë. Çdo parashikim tjetër që bie në kundërshtim me këtë urdhër shfuqizohet”, shprehet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com