Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, u shpreh sot se ecuria e situatës epidemiologjike dhe evidentimi i rasteve të të prekurve me COVID-19 paraqitet e qëndrueshme.
Në një intervistë televizive, ajo tha se lehtësimi i masave që janë marrë gradualisht kanë sjellë luhatje të numrit të të prekurve nga njëra ditë, në tjetrën.
Ajo tha se, vijon monitorimi i çdo rasti duke e ndjekur atë deri tek vatrat familjare apo në fasoneri siç kanë qenë edhe rastet e fundit, me qëllim izolimin.
Tomini theksoi se, ndjekja e protokolleve mbrojtëse po monitorohet nga inspektorët përkatës në rrethet ku ka vatra, deri edhe nga mjekët e familjes. Pjesa më e madhe e rasteve ndiqen nga mjeku i familjes, pasi kemi një simptomologji shumë të vakët të rasteve pasi paraqesin shqetësime shumë të lehta.
Ajo tha se distancimi dhe higjiena duhet të vazhdojnë të respektohen nga të gjithë, edhe brenda familjes. “Është një zbritje natyrale e kurbës ose zbritje e rasteve dhe zbehja e rasteve me COVID-19 ka sjellë shuarjen e epidemisë në këto nivele që jemi sot, jo vetëm kundrejt gjurmimit dhe evidentimit, por edhe vetë kurba e COVID-19 në Shqipëri po paraqet një shuarje natyrale”, u shpreh Tomini.
Tomini shpjegoi se, infeksionet respiratore e kanë kulmin në sezonin e dimrit. “Por, edhe gjatë stinës së verës ne parashikojmë të kemi raste sporadike, por sigurisht që ne nuk do të ndalojmë survejancën përgjatë sezonit të verës. Ndërsa vjeshta parashikohet të ketë qarkullim edhe të COVID-19 dhe atyre virale”, theksoi ajo.
Ajo tha se lehtësimi i masave ka ndodhur për shkak të vlerësimit që i janë bërë 3 indikatorëve: trendit të rasteve të reja përkundrejt një mesatareje javore, numrit të të shtruarve në spital dhe numrit të atyre që kërkojnë terapi intensive.
“Të tre indikatorët janë monitoruar dhe vlerësuar nga Komiteti Teknik përkundrejt të gjitha fazave të lehtësimit gradual, monitorim që do të vijojë për të arritur deri në lehtësimin e plotë të masave”, – tha ajo.
Përmirësimi i treguesve i ka bërë të zbatueshme masat lehtësuese dhe rënia e kurbës së epidemisë solli këto nivele lehtësuese.
Lidhur me hapjen e kopshteve dhe çerdheve Tomini tha se, “kemi një prekje shumë minimale të moshës fëminore dhe pa shenja klinike, ndaj për këtë arsye është menduar që të hapen këto institucione më 1 qershor, sipas protokollit, duke respektuar distancat dhe higjienën”.
Lidhur me hapjen e transportit publik, ajo theksoi se Komiteti Teknik po gjykon për masat dhe protokollin që do të zbatohet. Ndërsa për hapjen e kufijve po vlerëson procedurat e mundshme edhe me vendet e rajonit, në planet e afërta, për të kaluar në lehtësimin e hapjes së kufijve.
“Turizmi do të vijojë me protokolle të përcaktuara. Thyerja e distancimit fizik dhe mosmbajtja e maskës janë elemente të rrezikshme për përhapjen e COVID-19”, tha Tomini./atsh