Loading...

“Të ndalet abuzimi me çmimet”, Braçe: Fermerët e Divjakës shesin lirë, qytetarët në Tiranë blejnë shtrenjtë

Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se duhet të ndalet abuzimi me çmimet e produkteve bujqësore që vijnë nga Divjaka në tregjet e kryeqytetit.

Braçe u shpreh se produktet e shëndetshme të Divjakës shiten në zonë 4-fish më lirë se në Tiranë”.

“Gjithçka erdhi për shkak të abuzimit të tregtarëve, të ndërmjetësve të sekserëve, natyrisht në kurriz të fermerëve të Divjakës, pastaj edhe në kurriz të qytetarëve anë e kënd Shqipërisë, sepse këtu në Divjakë vijnë nga gjithë Shqipëria për të marrë produkte bujqësore, perime kryesisht, qepë dhe patate, më herët kanë marrë lakrën, sallatë, të gjitha produktet tona, lulelakër, rrepa. Dhe natyrisht pas kaq e kaq vitesh abuzim konstant të një grushti tregtarësh, sekserësh, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga vendet përreth që vijnë në Divjakë dhe diktojnë çmime të cilat shpesh herë shkojnë dhe nën koston e produkteve bujqësore që prodhohen këtu, thashë të vendosim një kufi të vendosim një limit të gjithë bashkë, përfshirë bashkinë e Divjakës, fermerët e vegjël e të mesëm por edhe të mëdhenj, me qëllim që të vendosim ca rregulla mbi të gjitha mes nesh, mes prodhuesve të vegjël në radhë të parë dhe pastaj marrëdhënien midis fermerëve dhe tregtarëve që vijnë të marrin produkte këtu në Divjakë”, tha Braçe nga Divjaka gjatë një prononcimi për një nga mediet e vendit.

Mbi abuzimin me çmimet e produkteve që vijnë nga Divjaka Braçe tha se, “në raport me fermerin që është i detyruara ta shesë pataten me 26 lekë për kilogram dhe qepën me 150 lekë të vjetra, tregu sot që flasim po e shet pataten nga 800 deri në 1500 lekë të vjetra në Tiranë, pra është një çmim abuziv i dyanshëm”.

Braçe drejton gishtin nga tregu agroushqimor i Tiranës, i cili sipas tij funksionon në kushte monopoli, i gjykuar i tillë nga Autoriteti i Konkurrencës.

“Faktikisht, kemi një gjendje tërësisht abuzive, dhe grabitje e dyanshme edhe përkundrejt fermerit dhe qytetarit. Këto produkte janë ekskluzive të Divjakës. Edhe qepa edhe patatja e re, pra në këtë stinë prodhohen vetëm në Divjakë dhe çmimi që është vendosur është 5 lekë mbi çmimin që prodhohet, pra shoqata e prodhuese të fermerëve të Divjakës ka vendosur një çmim që është më normali në botë dhe nuk rëndon mbi qytetarët e Tiranës, por ajo që rëndon mbi to është tregu agroushqimor i Tiranës i cili funksionon në kushte monopoli, i gjykuar i tillë nga autoriteti i Konkurrencës madje duke abuzuar në mënyrë të skajshme me pozitën monopol që ka”, u shpreh Braçe.

“Natyrisht ka instrumente fiskalë që duhet të ndërhyjnë sa më parë të jetë e mundur dhe këtu në Divjakë po operojnë organet fiskale me disa nga këta sekserët si të themi apo ndërmjetës tregu të cilët kanë abuzuar kohë pas kohe, apo vit pas viti dhe kanë fituar shumë dhe në krahun tjetër kanë goditur jashtë mase dhe kanë shkaktuar shumë dëme të mëdha prodhuesve të vegjël në Divjakë”, theksoi zv.kryeministri Braçe. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com