Në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” në Tiranë situata paraqitet e qëndrueshme prej ditësh, ndërsa aktualisht po marrin shërbim 28 pacientë.
Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Eugena Tomini, tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë me mediet se “në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete”.
“Më pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, – tha Tomini.
Në 24 orët e fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Sot është shënuar numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit./atsh