Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia ka reaguar sot në lidhje me rritjen e rasteve të infektimi me COVID-19 në spital duke e konsideruar si një dështim të menaxhimit të situatës.
Spahia shprehet se “21 rastet e reja të të infektuarve me COVID-19, të publikuara sot vërtetojnë më së miri faktin se në këtë epidemi, shqiptarët u braktisën nga shteti i tyre, se pushteti punoi pa një strategji, pa një plan. Shqiptarët sakrifikuan e vazhdojnë të jenë të izoluar, ndërsa pushteti punoi dhe vazhdon të punojë me llogari të ngushta përfitimi politik e financiar. 13 rastet e reja të evidentuara në QSUT provojnë se stafi mjekësor është lënë në mëshirë të fatit, duke u kthyer në shtresën më të rrezikuar nga Covid dhe vektor transmetimi tek familjarët e kontaktet e tyre”.
“E kemi evidentuar me forcë, në mënyrë të përsëritur e që në krye të herës domosdoshmërinë e pajisjes me mjete mbrojtëse si dhe testimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor, si mënyrë për t’i garantuar sigurinë për të përmbushur misionin e tyre, por edhe siguri për vetë pacientë, familjarë e kontakte të këtij personeli. Njëlloj si me Call Center-at e fasonët, kjo qeveri ka vënë interesin e pushtetit para atij të qytetarëve, të cilët kanë meritën se sakrifikuan duke bërë pjesën e tyre, izolimin”, tha Spahia. /atsh