“Shqipëria është qartazi një histori suksesi në mbyllje të fazës së parë të epidemisë”, deklaron Alban Ylli, Anëtar i Komisionit të Mjekësisë dhe Shëndetësisë pranë Akademisë së Shkencave, kërkues shkencor në ISHP dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.
Ylli thekson se “megjithëse numri i vdekjeve të raportuara është rreth 5-fish me i lartë se mesatarja e vdekjeve çdo vit nga gripi apo rreth 2 herë më i lartë se ai i vdekjeve nga gripi pandemi i 2009-s, niveli i mortalitetit ngelet shumë i ulët krahasuar me parashikimet e fillimit të marsit”.
“Niveli i vdekshmërisë në Shqipëri është dhjetëra herë më i ulët se ai i raportuar nga vendet e Europës Perëndimore si dhe ndër më të ultit në Europën Lindore. Në këtë fazë mund të vlerësohet se janë shpëtuar me qindra jetë njerëzore dhe mijëra vite jetë të shëndetshme. Një sukses për të cilin shqiptarët duhet të jenë krenarë”, deklaron mjeku Ylli.
Arsyeja kryesore e këtij rezultati që arriti Shqipëria në këtë fazë, thekson ai, është kombinim i fillimit relativisht më vonë të pandemisë dhe marrjes më të shpejtë të masave drastike të izolimit social e fizik.
“Një studim mbi këtë temë është përfunduar nga ne dhe disa kolegë të Universitetit të Hawait dhe është dërguar për publikim. Të gjitha vendet kanë përfituar nga (NBA) masat e izolimit dhe distancimit, por disa vende, si Shqipëria, ku këto masa u morën shpejt dhe nuk lejuan krijimin e një rezervuari të madh infeksioni në popullatë, përfituan më shumë. Pa dyshim se ishte edhe një çështje fati: virusi hyri më vonë, në sasi më të vogël se në disa vende perëndimore dhe u dha më shumë mundësi autoriteteve dhe gjithë shoqërisë të reagonin në kohë. Një falënderim i madh u takon gjithë qytetarëve që respektuan me ndërgjegje masat”, shprehet mjeku i njohur.
Faktorë të tjerë ndihmues, shton ai, mund të kenë qenë edhe mosha mesatare më e re, dendësia e popullatës, përqindje më e ulët e sëmundjeve kronike, faktorë të lidhur me biologjinë individuale, etj.
Ylli shton se “ndërkohë që vala e pare e pandemisë u përballua me sukses dhe stina e ngrohtë ka shumë mundësi ta frenojë qarkullimin e virusit, ngelen ende shumë të panjohura mbi sjelljen e tij në të ardhmen”.
“Evolucioni biologjik nuk e favorizon për një kohë të gjatë një virus vdekjeprurës: bashkë me vdekjet do të zhdukej edhe virusi. Për këtë arsye mutacionet që vijojnë ta shoqërojnë, mund të jenë të prirura drejt një shfaqjeje më “beninj” të virusit, të tilla që e shndërrojnë atë gradualisht në një virus endemik, më të adaptueshëm me bujtësin human. Gjithsesi, ky është vetëm një skenar, bazuar në biologjinë”.
“Një valë e dytë më e thjeshtë, nuk përjashtohet. Për këtë arsye, sistemi shëndetësor dhe gjithë shoqëria duhet të vijojnë të jenë të kujdesshëm dhe të përgatitur për skenarin më të keq”, apelon ai.
Ylli shton se “ndërkohë që pritet nga shkenca vaksina apo një trajtim i efektshëm, duhet të vijojmë të monitorojmë situatën me intensitet dhe të vijojmë të zbatojmë masat individuale te higjienës dhe distancimit. Kështu do të jemi më të sigurt dhe do të vijojmë të shpëtojmë jetë”.
Më tej, Ylli vlerëson E-grupin e ngritur pranë Akademisë së Shkencave ndërsa foli edhe për realizimin e një projekti.
“Në grup merrnin pjesë ekspertë të fushave të ndryshme që postonin në kohë reale si faktet më të fundit mbi pandeminë, ashtu edhe opinionet dhe përvojën e tyre mbi situatën. Grupi lejoi shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe pikëpamjeve. Ai shërbeu si një forum për debat dhe konsulta shkencore duke zëvendësuar vështirësitë e krijuara për takime fizike. Së fundi, theksoj se ky grup, mbeti profesional e pothuaj i paprekur nga “infodemia” e lajmeve te rreme, apo gjysmë të vërtetave që, deri diku, infektuan disa E-grupe të tjera”, u shpreh ai.
Nëse i referoheni projektit të studimit serologjik të propozuar, Ulli thekson se është një kontribut i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë për vendin në fazën e dytë të pandemisë. “Në këtë fazë, kur masat drastike të izolimit fizik po zëvendësohen dora-dorës me një qasje tjetër, më afatgjatë, është thelbësore njohja e nivelit të imunitetit të grupeve të ndryshme të popullatës përmes studimeve të sero-prevalencës, përmes aplikimit në kampione sistematike të testeve serologjike. Si pjesë paraprake e projektit, për herë të parë, planifikohet të verifikohet validiteti i një testi të ri serologjik për COVID -19, përmes aplikimit të tij edhe në një kampion serumesh të periudhës para pandemisë. Studimi planifikohet të kryhet si një nismë e Akademisë, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare dhe Institutin e Shëndetit Publik. Është përcaktuar metodologjia dhe është siguruar mbështetje për teknologjinë për të. Per momentin pritet vetëm zgjidhja e disa detajeve teknike dhe burokratike”, shprehet Ylli.
Akademia e Shkencave, menjëherë pas shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri, organizoi grupin “Në ndjekje të pandemisë” me mjekë, gjenetistë, ekonomistë, biologë, matematikanë e fizikanë brenda dhe jashtë vendit, anëtarë të Akademisë, dhe përmes komunikimit arriti që të identifikojë disa nga problemet më të rëndësishme të kësaj pandemie. U mundësua, gjithashtu edhe hartimi i Buletinit Ditor të shfaqjes së pandemisë në botë dhe në vendin tonë. Këta buletine së bashku me grafikët e hartuar sidomos nga prof. Niko Kaçiroti në SHBA apo Erida Gjini në Portugali, mundësuan edhe ndjekjen e përhapjes, infektimit, vdekshmërisë dhe riaftësimit nga ky virus në shifra të përafërta me ato që u vërtetuan në praktikë. /atsh