Policia e Tiranës, në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese të përcaktuara për parandalimin e COVID-19 ka konstatuar me shqetësim grumbullimin e një grupi qytetarësh pranë Teatrit Kombëtar, shumë përtej fashës orare të qarkullimit dhe në shkelje të çdo rregulli të parashikuar nga Akti Normativ.
Në zbatim të Aktit Normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit për 40 shtetas.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në “zonat e kuqe” që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.
Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore./atsh