Loading...

Sezoni turistik, Klosi: Korriku dhe gushti do ketë lëvizje, me hapjen e kufijve shtohet frekuentimi në hotele

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se, turizmi është sektori që ka më shumë shpresa që të ringrihet.

“Turizmi është më i prekuri, por është sektori që ka më shumë shpresa që të ringrihet. Ka shumë vëmendje për turizmin gjatë kësaj periudhe me shpresën e madhe që sezoni do sjellë para, do punësojë shumë njerëz”, tha Klosi.

Në një intervistë televizive Klosi tha se, “kemi shpresën që sezoni do rinisë me qershorin dhe me korrik-gushtin pastaj do kemi një sezon normal”. “Kam bindjen dhe besoj që e ndaj me kolegët operatorë, që korriku dhe gushti do ketë një lëvizje të madhe”, u shpreh ai.

I pyetur pse nuk lejohen njerëzit të lahen në det, Klosi tha larja në det në vetvete mbase s’ka asnjë problem tek personi. “Por larja në grup dhe grumbullimi i njerëzve, vajtja në plazh, përdorimi i shezlongëve, përdorimi i plazhit si vend grumbullimi do krijonte problematika”, u shpreh ai.

“Nga 17 maji janë hapur baret dhe restorantet në ambientet e hapura. Pra që nga 17 maji janë hapur baret dhe restorantet e hoteleve. Por kjo s’do të thotë që është hapur plazhi si aktivitet”, tha Kosi.

“Ju garantoj që ka pasur debate të forta sa i përket këtij momenti dhe po shkojmë me të njëjtin plan që kemi bërë prej shumë kohësh. Hapja e kufijve tokësorë do jetë në 1 qershor tha kryeministri. Besoj do ketë dhe një vendimmarrje të fundit për 1 qershorin. Me hapjen e kufijve tokësorë, me krijimin e mundësisë me hyrjen e më shumë qytetarëve shqiptarë me pasaporta të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, dhe Malit të Zi, do mund të frekuentohen shumë më tepër hotelet”, tha Klosi.

“Në 1 qershor do të hapen stacionet e menaxhimit të plazhit në hotele. Do hapen hotelet sepse janë struktura që kanë mundësi të krijojnë higjienën, të krijojnë kushtet e duhura për parandalimin e COVID-19”, u shpreh ai.

“Ka qytete si Berati, Korça, Kruja, Lezha Gjirokastra, Shkodra që humbjen më të madhe e kanë këtë periudhë. Pra nuk themi dot që nuk ka humbje sezoni. Por, bëhet ky debat i madh për një situatë sa i përket plazhit. Kjo është vendimmarrje”, tha Klosi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com