Loading...

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie

Kryetari i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma ka zhvilluar sot një takim me operatorët kryesorë turistikë në Sarandë për të diskutuar rreth problemeve për sezonin turistik që pritet të hapet së shpejti.

Qëllimi i takimit me operatorët dhe bizneset që ofrojnë turizëm, ishin rregullat e reja, protokollet dhe angazhimi i përbashkët për menaxhimin e suksesshëm të sezonit turistik.

Në fjalën tij, Gurma tha se falë marrjes së të gjitha masave, Saranda hyri në hartën e bashkive të gjelbra dhe kjo është meritë e qytetarëve, strukturave të pushteti lokal dhe të gjithë instancave të tjera që operojnë në bashki. “Të gjithë bashkë kemi bërë më të mirën jo vetëm për njerëzit tanë, por dhe për ata që presin të na vizitojnë, sepse Saranda do jetë një oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie. Kjo është e para që doja të ndaja me ju dhe realisht jam shumë i kënaqur. Jemi në fashën e bashkive të gjelbra. Kjo na vë edhe para përgjegjësive dhe nuk duhet të jemi në eufori. Pjesa që kaluam në bashki të gjelbër, që kemi lirinë e lëvizjes, kemi lirinë e komunikimit, e ndërmjetësimeve me të gjitha bashkitë e tjera që rrethojnë bashkinë e Sarandës, na bëjnë akoma më të përgjegjshëm që situatën në vazhdim ta përballojmë me sukses”, u shpreh Gurma.

“Në momentin që Saranda do jetë e aksesueshme jo vetëm për bashkitë e gjelbra që kemi përqark, por do jetë e aksesueshme edhe për Tiranën, Kosovën, pse jo për Maqedoninë e Veriut, neve na takon dhe kemi përgjegjësi, kemi sfida të mëdha përpara për të përgatitur në kushtet e reja situatën”, vijoi Gurma.

“Do të doja se gjithë secili nga ju të marrë përgjegjësit por të jetë edhe mirëkuptues ndaj rregullave dhe standardeve të reja që do kemi karshi të gjithë pushuesve sepse në fund të fundit nuk na intereson asgjë më shumë sa mbarëvajtja dhe siguria që Saranda të jetë si vitet e tjera jo vetëm avangard për turizmin dhe perla e turizmit, por dhe marka, sepse kur të përmendësh emrin Sarandë do të thotë se pushohet mirë, pastër, lirë dhe në mënyrë të sigurt. Kjo duhet të jetë lajtmotivi i të gjithë punës tonë bashkë”, tha ai.

Gurma ritheksoi se ulja e paketës turistike me 20% sa i përket çmimit do maksimizojë fitimet e operatorëve turistikë, pasi do fitojë Saranda dhe do të kemi një fluks të madh vizitorësh.

“Ne kemi marrë angazhime edhe në bashkëpunim me operatorët e shoqatës turistike e kemi prezantuar zhvillimin e paketës turistike në krahasim me vitet e tjera në një situatë ndryshe për sa i përket ofertës. Ai 20% më i lirë them se nuk duhet të diskutohet më, sepse në fund të fundit do jetë fitim për të gjithë ne. Do jetë fitim për biznesin hoteleri, do jetë fitim dhe për Sarandën. Për sa i përket bashkisë, mbështetja do të jetë maksimale”, tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com