Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se pritej shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19 pas lehtësimit të masave të lëvizjes për qytetarët.
Brataj tha se kjo vjen edhe si pasojë e uljes së vigjilencës së qytetarëve dhe mosrespektimit të masave.
Në një intervistë për mediet, Brataj u bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë masat anti-COVID pasi virusi është ende këtu. Sipas tij, distancimi fizik dhe maskat mbrojtëse janë ende të nevojshme.
Këto shifra, sipas Bratajt, janë të kontrollueshme, por kjo nuk duhet të ulë përgjegjshmërinë qytetare për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
“I prisnim këto shifra dhe e kemi thënë disa herë edhe para hapjes. Për fatin e mirë janë të kontrollueshme dhe të menaxhueshme në këtë moment pasi janë vatra. Pozitiv është edhe fakti që virulenca e virusit është shumë më e ulët se në fillim”, u shpreh Brataj.
Për shkak të uljes së virulencës, Brataj shprehet se infektimi mund të kalohet edhe më lehtë.
“Sot nga studimet që janë bërë është vlerësuar se pasi virusi të fillojë të japë dëmtimet i duhen 6 ditë, nga tre që ishte në muajin shkurt dhe dëmtimet nuk janë aq të rënda, sa atëherë. Po ashtu, një verifikim tjetër është bërë nga ana e radiologëve që pacientët nuk paraqesin më probleme pulmonare që tregon se agresiviteti është më i ulët”, tha Brataj.
Problemi ynë, u shpreh Brataj, është të mos ketë rritje të pakontrollueshme që të na detyrojë të marrim masa për mbylljen sërish dhe kjo mund të shmanget vetëm nga respektimi i rregullave nga qytetarët, si ruajtja e distancës sociale dhe higjienës.
“Ne me virusin duhet të bashkëjetojmë pasi mjafton një i infektuar dhe do të na infektojë. Ky është momenti më delikat, por nëse nuk do të respektojmë masat, detyrimisht do të ketë rritje të të prekurve dhe do të çojë në shtrëngimin e masave sërish”, u shpreh Brataj./atsh