“Të gjithë mësuesit dhe stafi që do të administrojë procedurën e maturës shtetërore është tashmë duke u trajnuar për të menaxhuar sa më mirë këtë proces, ndërsa maturantët janë njohur me temat me të cilat do ndeshen gjatë testeve, që këtë sezon do të jenë të gjitha me alternativa”.
Gjatë një interviste televizive, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi, tha sot se “shëndeti i maturantëve është kryefjalë e punës.
“Është bërë dezinfektimi të gjitha ambienteve arsimore dhe kontrollet përkatëse pasi për ne shëndeti i maturantëve është në plan të parë dhe nuk ka arsye për trembje as nga ana e prindërve, as nga ana e maturantëve. Ambienti në shkollë është shumë më i sigurt sesa ambiente të tjera, qoftë në rrugë, lokale apo të tjera”,- tha Vrapi.
“Janë shumë pak maturantë në një klasë, vetëm 10 të tillë, në distancë goxha të madhe nga njëri-tjetri, korridoret janë të zbrazura. Shkolla është mjedisi më i sigurt në këto momente sesa kudo tjetër”,- vijoi Vrapi.
“Që një maturantë të quhet i diplomuar në arsimin e mesëm dhe të ketë përfunduar arsimin e mesëm ka katër provime. Tre janë me detyrim dhe një është me zgjedhje. Vitin e kaluar bëmë një ndryshim, ku testi nga 50 pikë, kaloi me 60 pikë dhe këtë vit do të vazhdojë me 60 pikë. Ndërkohë për t’u quajtur kalues, ky është një nga ndryshimet e maturës 2020, duhet që maturanti të ketë arritur të grumbullojë 25% të totalit të pikëve, pra 15 pikë nga 60 pikë të mundshme. Ky është një vendim i marrë përpara se të vinte pandemia, pra nga që prej muajit tetor apo nëntor të vitit 2019. Pra u vendos që të ketë një rritje të pikëve dhe të kuotës së kalimit, duke e kaluar nga 10 pikë në 15 pikë dhe kështu do të mbetet pavarësisht pandemisë së COVID-19”,- tha Vrapi.
“Kjo formë e testimit është vendosur që vitin e shkuar, që veç fletës së testit do kemi dhe fletën e përgjigjeve. Vitin e shkuar, prezantuam një test me 20 pyetje me alternativë, nga 34 në total. Për të bërë të mundur korrigjimin e tyre në mënyrë digjitale u paraqit që vjet një flet përgjigje si lehtësim për procesin e korrigjimit, këto pyetje nuk korrigjohen më manualisht nga ana e korrigjuesve, siç ka ndodhur që pas vitit 2006 deri në vitin 2018, por në mënyrë digjitale. Kështu rritet pra besueshmëria, ulet kosto, shpejtohet koha etj. Nuk ka asnjë ndryshim në raport me vitin e shkuar, kjo pra nuk do jetë hera e parë që ka një fletë përgjigje edhe përgjigja është e vlefshme tek fletë përgjigja, pasi kjo skanohet, jo fleta e testit”,- nënvizoi Vrapi.
“Fletëpërgjigja, kërkon vetëm 10 minuta për t’u plotësuar nga ana e maturantëve dhe sigurisht ka disa elementë sigurie. Patjetër koha është totalisht e kontrolluar dhe duke qenë që testi nuk hyn dot në skaner, fletë përgjigja merr një rëndësi shumë të madhe dhe prandaj kujdesi ynë, informacioni jonë ka qenë që maturantët të njihen me fletë përgjigjen, që i është dërguar që ditën e hënë dhe informacioni është i plotë dhe në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe kushdo që na e ka kërkuar, e ka marrë. Ata janë të njohur me formatin e fletë përgjigjes, me disa udhëzime se si duhet ta plotësojnë”,- tha Vrapi.
“Janë tre identifikime, emër, mbiemër, atësi, ka një bar kod testi të printuar nga QSHA, pra ne kemi hequr sekretuesin nga salla e provimit, për arsye sepse tashmë që testi skanohet nuk ka korrigjues, nuk identifikohet dot testi, kështu që nuk e shikojmë të arsyeshme që në sallën e provimit të jetë një persona që shkon dhe vendos bar kode. Nisur nga përvoja e shumë viteve, na ka ndodhur që bar kodet të vendosen edhe gabim, duke sjell dhe problematika si kohë gjatja e daljes së përgjigjeve të testit. Gjithashtu kanë qenë rreth 600-700 persona që vendosnin bar kodet, që tashmë nuk do jenë, dhe nga krahu tjetër përmes kësaj praktike nuk humbim asnjë elementë sigurie, sipas elementëve që përcaktohen dhe nga vendet e tjera në BE”,- tha Vrapi.
Ajo shtoi se kanë nisur trajnimet.
“Rreth dy javë më parë QSHA dhe Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar përcaktuan mësuesit me të gjitha elementët dhe gjithçka do ndodhte nga momenti që nxënësit do kthehen-in në klasë, provimi, kohën dhe të gjitha elementët e tjerë. Tani po zhvillohet trajnimi pjesë pjesë i gjithë stafit që do administroj procesin e testeve deri tek i fundit. Provimi i parë më 8 qershor, i fundit do të jetë më 18 qershor, nis me lëndën e gjuhës së huaj dhe përfundon me lëndën me zgjedhje”,- tha ajo.
“Në udhëzimet dhe trajnimet janë paracaktuar të gjitha hallkat, që në momentin që maturantët do të shkojnë në shkollë, forma si do thirren, ndalohet kategorikisht celulari në sallë, për arsye se rregullorja është shumë e qartë dhe nëse konstatohet se një maturantë ka futur celular, menjëherë përjashtohet nga provimi dhe s’do ketë të drejtë që gjatë një viti të futet në provim, pra humbet një vit. Nga ana tjetër do të mbahen 10 vetë në klasë, duke respektuar distancë, ashtu siç po bëhet edhe tashmë. Njëkohësisht është përcaktuar dhe procedura e futjes dhe daljes në provim e tyre, ku do jenë me patjetër dezinfektantët, maskat…etj Shëndeti i tyre është parësor dhe më pas vijnë të tjerat”,- tha Vrapi.
“Tashmë dihet sasia e temave janë pjesë e programit të maturës shtetërore. Maturantët janë njohur me programin, ku janë informuar dhe për heqjen e një sërë temash që lidhen dhe me periudhën e pandemisë. Testi ka nivelin e caktuar të vështirësisë, të ndarë në tre nivele, niveli 1, 2, 3, sipas aftësive të maturantit. Ka pyetje të nivelit të lartë, ky maturantët të cilët nuk kanë përgatitjet e duhura nuk arrijnë ti plotësojnë të gjitha nivelet dhe me radhë. Qëllimi është të mos ketë kohë të tepërt, ato që janë shumë të mirë e plotësojnë testin brenda kohës së nevojshme. Duhet llogarit dhe 10 minutëshi në fund për plotësimin e flet-përgjigjes”,- përfundoi Vrapi. /atsh