Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo deklaroi sot se “nuk do të ketë një rikthim, por një rishfaqje të virusit COVID-19. Mendoj që shfaqja e këtij virusi nuk do të jetë më agresiv, hapësira kohore nga 13 maji, deri në shtator, ka disa muaj dhe kontaktet sporadike do të na ndihmojnë që të kemi më shumë imunitet”.
Në një intervistë televizive, Kalo theksoi se “virusi COVID-19 nuk është në grahmat e fundit, por si një sëmundje respiratore, shkon në një vetëshuarje, por jo të plotë. Gradualisht COVID-19 do të klasifikohet si infeksion i vijave respiratore”.
Sipas tij, në verë kemi disa infeksione që kalohen shpesh në plazh dhe kanë si simptoma gripi.
“Me ardhjen e vjeshtës do të riaktivizohen dhe pa dyshim midis tyre nga tamponet që do të merren, detyrimisht do të jetë i pranishëm edhe COVID-19”, – shtoi Kalo.
Mjeku Kalo u shpreh se “virusi në karakteristika nuk ka ngjashmëri me viruset e parafabrikuara si një pjesë e arsenalit të armëve biologjike, nuk ka asnjë gjë të saktë, duhen studime më të thelluara. Më shumë duket një betejë tërheqje vëmendjeje, se një saktësim i krijimit të këtij virusi”.
I pyetur nëse do të shkonte në një dasmë, Kalo tha se “nuk do refuzoja asnjë ftesë për dasmë, por duhet me qenë të kujdesshëm. Teprime në përqafime dhe puthje duhet të besojmë që janë të tepërta. Koka të na hyjë më shumë në veprim dhe më pak duart”.
“Edhe plazhi me kujdes. Duke respektuar distancën dhe në ato plazhe ku nuk ka derdhje të ujërave të zeza ka rrezik minimal”, shtoi ai.
I pyetur për zërat nga opozita se është fshehur numri i të vdekurve nga COVID-19, mjeku Kalo tha se “Tajlanda është vendi i parë ku janë parë të sëmurët e parë, pas Kinës. Qeveria tajlandeze mori masa të menjëhershme, nuk priti që të shpallej pandemia nga OBSH. Mori masa drastike. Është ngritur dikush nga opozita tajlandeze të thotë pse na i fshihni të vdekurit?”
“E palogjikshme të kërkosh të vdekur kur nuk ka. Nuk ka asnjë arsye për të fshehur të vdekurit pasi individët janë të regjistruar në regjistrat e spitale dhe është kollaj për të identifikuar. Është një lojë që nuk ia vlen të merresh me të, nuk bëhet politikë me të vdekur, por të bashkojmë krahët për ta luftuar”, tha Kalo./atsh