Stafi infermieror i Sektorit të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Vlorë së bashku me punonjësit e qendrave shëndetësore vijojnë monitorimin e gjendjes shëndetësore të maturantëve dhe zbatimit rigoroz të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjatë ditës së sotme punonjësit e shëndetësisë në Vlorë ishin pranë maturantëve të shkollave të mesme “Perla”, “Elite”, Shkolla Tregtare, “Qemal Ataturku” dhe “Ali Demi”.
Ata i informuan maturantët mbi mbajtjen e higjienës personale, larjen e duarve dhe dezinfektimin e objekteve që prekin me shpesh.
Po ashtu i këshilluan të ruajnë distancimin social si një tjetër mënyrë e parandalimit të përhapjes së COVID-19, që do të thotë shmangia e vendeve të populluara dhe mbajtja e largësisë nga njëri-tjetri.
Stafi mjekësor realizoi edhe termometrimin e çdo nxënësi për të evidentuar çdo problematikë shëndetësore. Ata i këshilluan nxënësit të zbatojnë rregullat për të parandaluar përhapjen e infeksioneve respiratore si COVID-19./atsh