Loading...

Protesta, mjeku Ulqini: Thyerje e të gjithë protokolleve, të shpresojmë të mos reflektohet në shifra të prekurish

Mjeku Dritan Ulqinaku deklaroi mbrëmjen e sotme në një nga mediet e vendet se 15 raste në ditë në aspektin e transmetimit të COVID-19 nuk janë shqetësuese.

“15 raste në aspektin e transmetimit të kësaj sëmundjeje nuk është absolutisht asgjë. Për hir të së vërtetës ne prisnim një numër ndoshta dy-tre herë më të madh, që prapë nuk do të ishte problem, sepse virulenca duket sikur ka rënë e këtij virusi. Këtë e tregon edhe shtrimi në spital. Pothuajse nuk po shtrohen më njerëzit e infektuar në spital me COVID-19. Pra, ne ishim përgatitur për një numër 2-3 herë më të madh dhe ky numër është mëse i zakonshëm. Do të ishte shumë më mirë që të mos kishim asnjë rast për 2 javë por është shumë e vështirë të arrihet, shpresojmë të arrihet por prapë nuk janë shifra për t’u alarmuar”, u shpreh ai.

Ai argumentoi se kurba në Shqipëri nuk është një kurbë klasike ndërsa numri i vatrave të infeksionit është normal.

“Nuk kemi të bëjmë një kurbë klasike. Kemi të bëjmë me një minimum të mundshëm dhe ky minimum mbahet gjallë tek-tuk nga vatra të vogla që mund të jenë fasoneri ose vatra familjare. Pra një person që është i infektuar dhe nuk ka dijeni që është i infektuar mund të infektojë shumë lehtë në momentin e mungesës së masave të kontrollit dhe distancimit fizik, 2-3 shoqe, 4 shoqe të cilat janë duke ngrënë drekë së bashku ose ulen në një cep pas pune, ose në një familje. Janë mëse të pranueshme 2 vatra në ditë, nuk janë asgjë”, tha ai.

Lidhur me protestat e zhvilluara në bulevard, mjeku tha se “është thyerje e të gjithë protokolleve të mundshëm”.

“Personalisht me vjen turp që unë vazhdoj të komentoj masat anticovid, jo vetëm unë, por të gjithë kolegët e mi. Nuk ka asnjë lloj protokolli që mund të përshkruajë një situatë të tillë, flas gjithmonë në aspektin shëndetësor, – ndërsa shtoi se, – mund të ndodhë që pas një jave të flasim me shifra mbi 3-shifrore, pra mbi 100 në ditë. Të shpresojmë që të mos ndodhë por është thyerje e të gjitha protokolleve. Unë nuk di një vend të botës që janë bërë manifestime, janë bërë manifestime por kanë ruajtur distancën 1 metër e gjysmë minimumi, në vende të tjera 4 metra”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com