“Përveç numrit të vogël të rasteve të reja duhet të shohim që nuk ka më raste të rënda. Tashmë jemi në ditën e 13 pa asnjë vdekje pra vdekja e fundit është në datën 30 prill pra në maj nuk ka më asnjë vdekje nga COVID-19”, tha mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti gjatë një interviste televizive.o
I pyetur nëse duhet bërë plazh këtë vit Alimehmeti tha se , “uji i detit përmban kripë dhe jod që e vrasin virusin. Ata që nuk lejojnë qytetarët të futen në det, nuk e paskan kuptuar akoma natyrën e virusit”.
“Edhe pishina nuk është problem. Në pishinë thjesht duhet pasur parasysh grumbullimi i njerëzve. Në pishina grumbullohen shumë persona”- tha ai.
Ai tha se bashkitë e shpallura “zona të kuqe” nga qeveria nuk kanë pse të mbahen në kufij të kuq në një kohë kur rastet pozitive me COVID-19 janë minimale, ose prej ditësh në disa prej tyre s’ka fare.
“Qyteti i Durrësit prej një jave s’ka asnjë rast pozitiv me COVID-19, pse izolohet si zonë e kuqe”, tha mjeku Alimehmeti.
Ai tha se,“kur ke kaq pak raste, kur s’ke asnjë rast sot në Krujë, kur ke dy raste në Tiranë dhe asnjë në Durrës prej më shumë se një jave, s’ke pse i mban këto bashki në zonat e kuqe”.
“Unë bëj pjesë të ajo masa që thonë që nuk duhen mbajtur këto masa. Në bazë të evidencave këto masa duhet të lirohen siç po lirohen”, përfundoi mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti./atsh