Pëllumb Pipero, mjeku i njohur infeksionist komentoi masat e fundjavës, sipas së cilit, janë të nevojshme për shkak se shmangin grumbullimet e mundshme të qytetarëve.
Ndërsa komentoi situatën epidemike në vend, Pipero u shpreh se kjo e fundit është në rënie. Pozitive sipas mjekut të njohur është fakti që rastet pozitive janë asimptomatikë.
“Shifrat dëshmojnë se intensiteti i epidemisë ka rënë, të paktën nga numri që konstatohen pozitivë , janë në një ulje të qëndrueshme edhe pse dinamika e grafikut ka oshilacione të cilat vijnë për shkak të aplikimit të strategjisë sonë që gjurmon rastet e kontaktit, kontaktet e kontakteve por e rëndësishme është që rastet janë asimptomatikë”, u shpreh Pipero.
Pipero shtoi se ecuria e epidemisë është drejt mbylljes, drejt përfundimit në vendin tonë.
“Fundjavat zakonisht dyfishojnë grumbullimin e njerëzve dhe duke qenë paksa të shkujdesur, krijohet më shumë mundësia të kenë kontakt më shumë, të ekspozohemi më shumë për të na rikthyer jo në fillimin e kësaj epidemie por për të na shtuar numrat. Ndaj besoj që ndoshta Komiteti i Ekspertëve e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin të arsyeshme që fundjava të jetë gjatë kësaj kohe më pak frenuese për shkak të ecurisë së epidemisë sonë. Ecuria e epidemisë, mua më bën optimist që fundi i muajit do të jetë tërësisht i lirë. Unë do të sugjeroja që në fund të muajit të hapej”, u shpreh ai.
Pipero u shpreh po ashtu se në këtë fazë po kryhen testimet serologjike, së pari për personelin shëndetësor.
“Në këtë fazë po aplikojnë testimet serologjike për personelin shëndetësor të atyre që kanë qenë më të ekspozuar si dhe të pacientëve pozitivë dhe në radhë të dytë për të parë ecurinë e qëndrueshmërisë së antitrupave në persona të konfirmuara me PCR”, tha Pipero./atsh