Loading...

Pas datës 18 maj hapen korridoret ajrore dhe tokësore, sfidë respektimi i vetëkarantinimit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “pas datës 18 maj do të vijë procesi i hapjes edhe i flukseve për të hyrë në Shqipëri nga ajri dhe toka, duke sjellë një tjetër sfidë që të respektohen rregullat e vetëkarantinimit në shtëpi për të gjithë ata që do të hyjnë në territorin e vendit”.

Kryeministri theksoi se të gjitha lehtësimet e masave do të vazhdojnë të konsultohen me Komitetin Teknik të Ekspertëve.

“Deri në datën 18 maj janë ato që janë, pastaj do të vijë procesi i hapjes edhe i flukseve për të hyrë në Shqipëri nga ajri dhe toka. Aty është një tjetër sfidë që të respektohen rregullat e vetëkarantinimit në shtëpi për të gjithë ata që do të hyjnë në territorin e vendit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “janë shumë qytetarë që kanë mbetur jashtë për një periudhë të gjatë tashmë”.

“Ne kemi bërë çmos me korridorin e krijuar, por ai është korridor humanitar, nuk është liri komerciale fluturimi si zakonisht”, tha Rama.

Ai kërkoi po ashtu që Ministria e Shëndetësisë të përgatisë disa materiale sensibilizuese për qytetarët në kushtet e hapjes, ku të përsërisim lutjen dhe thirrjen për kujdes dhe respektim të masave. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com