Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha deklaroi se, sot në Shqipëri ka 10 herë më shumë të papunë prej keqmenaxhimit të krizës nga Rama, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Sa më shumë qytetarë takoj aq më prezent bëhet shqetësimi për rrënimin e ekonomisë shqiptare. Faturat dhe taksat e larta, rënia drastike e konsumit por edhe mungesa totale e ndihmës nga ana e qeverisë Rama po e çojnë biznesin në kolaps dhe qytetarët drejt varfërisë së pashmangshme. Sot në Shqipëri ka 10 herë më shumë të papunë prej keqmenaxhimit të krizës nga Rama, krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, tha Basha.
“Të rinisësh normalitetin pa strategji dhe pa ndihmë konkrete siç bën Rama do të thotë t’i çosh qytetarët drejt krizës së thellë ekonomike dhe greminës së mjerimit”, u shpreh Basha.
“Pandemia ekonomike ka prekur shumicën e familjeve shqiptare që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete. Dhe jo për fjalë dhe show në Facebook”, theksoi Basha.
“Mbi 70% e shqiptarëve janë sot pa asnjë ndihmë ekonomike dhe pa të ardhura”, shtoi Basha. //atsh