Presidenti Ilir Meta vizitoi sonte Xhaminë e Parrucës në Shkodër me rastin e Natës së Kadrit.
Në këtë vizitë që u zhvillua në kuadër të kësaj Nate të Madhërueshme, Presidenti Meta u mikprit dhe u shoqërua nga Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari.
“Dua të falënderoj Myftiun e Shkodrës për këtë mikpritje, por edhe për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur në vijimësi. Unë zgjodha vetë që sonte, në këtë Natë të Bekuar të Kadrit të isha pikërisht këtu në Shkodër, pasi Shkodra është në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm dhe patriot simboli i besimit në Zot. Por edhe i besimit në vlerat atdhetare e të familjes. Është simboli i harmonisë dhe i bashkëjetesës, por edhe i qëndresës, edhe i durimit”, u shpreh Meta për gazetarët.
“Vizituam pikërisht Xhaminë e Parrucës që është ribërë dy herë, që u shkatërrua në 1967-n, në periudhën më të errët të komunizmit, por që u rindërtua me rikthimin e demokracisë, ku Shkodra ka shkëlqyer me sakrificat dhe lidershipin e saj, në themel të të cilëve janë sakrificat në radhë të parë të klerikëve të masakruar e të persekutuar nga regjimi komunist”, vijoi Meta.
“Dhe siç e shohim sonte dhe prej shumë kohësh, kjo Xhami e jashtëzakonshme e Parrucës u rindërtua ashtu siç ishte. Ndaj edhe një herë dua t’u uroj të gjithë besimtarëve, por edhe të gjithë qytetarëve të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë: Gëzuar këtë Natë të Bekuar e të paqes së madhe dhe sonte na kujtohen më me forcë mësimet e mençura të Profetit Muhamet se besimi më i mirë është te durimi dhe te zemërgjerësia”, theksoi Meta./atsh