“Shpendët e Shqipërisë” së bashku me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier realizuan monitorimin e plotë të ishujve lagunorë të Karvastasë për folezimin e shpendëve të ujit.
“Qëllimi i këtij aktiviteti kërkimor është për të realizuar hartëzimin e plotë të folezimit në zonat ishullore të lagunës me qëllim përshtatjen dhe përmirësimin e veprimeve menaxhuese në funksion të ruajtes afatshkurtër dhe afatgjatë të popullatave të shpendëve folezues”, thekson “Shpendët e Shqipërisë”.
Më tej, ky studim ka për qëllim vlerësimin dhe krahasimin e parametrave fizikë të zonave ishullore apo sopeve sikurse njihen në gjuhën vendase, për të evidentuar faktorët që favorizojnë folezimin e këtyre llojeve, pjesa dërrmuese e të cilëve mbart një status kërcënimi sipas listës së kuqe të faunës së Shqipërisë, si dhe janë lloje me interes të lartë ruajtje në nivel Europian dhe më gjerë.
Po ashtu ky studim ka për qëllim krijimin e një momenti apo baze të dhënash reference për monitorimin afatgjatë të shpendëve folezues si dhe ndryshimit të parametrave fizikë të vendfolezimeve të tyre.
“Rezultatet e fazës së parë të monitorimit janë tejet interesante. Të gjitha zonat ishullore u vrojtuan dhe aktivitet folezues u has në vetëm 7 prej tyre. Në 4 zona ishullore aktiviteti folezues ishte në fazat fillestare: kolonitë ishin pothuajse të stabilizuara plotësisht dhe procesi i inkubimit kishte filluar në shumicën e foleve. Në një prej ishujve aktiviteti folezues tashmë ishte në fazën përfundimtare ku të gjithë zogjtë kishin lënë foletë e tyre. Ndërsa në 2 ishuj të tjerë u vrojtuan përpjekje të qarta folezimi”, bëri të ditur “Shpendët e Shqipërisë”.
Për sa i përket llojeve, tha më tej kjo shoqatë, një numër total prej 196 çiftesh folezuese të dallëndyshes së detit të zakonshme (Sterna hirundo) u numërua në të gjithë zonën e studimit, më tej rreth 50 çifte të pulëbardhës këmbëverdhë (Larus michahellis) pothuajse kishin përfunduar tërësisht folezimin.
“Në anën tjetër, për lloje të tjera si dallëndyshja e detit ballëbardhë (Sternula albifrons), kalorësi (Himantopus himantopus), sqepbiza (Recurvirostra avosetta), vrapuesi gushëbardhë (Charadrius alexandrinus) etj, në këtë fazë të parë të monitorimit u vrojtuan vetem sjellje folezuese dhe shpresojmë që në fazën e dytë të monitorimit edhe këta lloje t’i gjejmë në proces të stabilizuar folezimi”, shtoi shoqata.
“Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se është tepër e rëndësishme që në këtë periudhë të shmanget plotësisht shqetësimi (hyrja në ishujt) në zonat e folezimit, si një ndër faktorët thelbësorë që ndikon suksesin e riprodhimit./atsh