Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është përgjigjur zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me kërkesën për rihapjen e aktiviteteve sportive.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve po punon për protokollet e posaçme për hapjen graduale të aktiviteteve sportive, sipas strategjisë së rihapjes të miratuar nga ky komitet. Në këtë kuadër do të vlerësonim bashkëpunimin tuaj për vijimin e hartimit të protokolleve të posacme nëpërmjet krijimit të një Grupi të Përbashkët Pune. Jeni të lutur të dërgoni përfaqësinë tuaj për të finalizuar hartimin e këtyre protokolleve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi më herët se grupi i përbashkët i punës i Komitetit Teknik të Ekspertëve me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit do të finalizojnë procesin e nisur për hartimin e protokolleve të posaçme për aktivitetet sportive. /atsh