Loading...

Ministria e Shëndetësisë: Mbi 10 mijë testime, 8 raste të reja, shkon në 850 numri i të prekurve

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini deklaroi sot se situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin e thelluar epidemiologjik.

Tomini tha se “në 24 orët të fundit janë testuar 238 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë, të shpërndarë, në Tiranë 3 raste, Krujë 2 raste, Shkodër 1 rast, Fier 1 rast dhe Kamëz 1 rast”.

Gjithashtu, tha ajo, janë kryer 18 testime në personel mjekësor dhe pacientë tek shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT dhe të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativë për COVID19.

“Gjatë këtij muaji është trefishuar numri i testimeve. Aktualisht kemi një indikator pozitiviteti nën 5 %, një indikacion shumë i mirë lidhur me kontrollin e virusit”, deklaroi Tomini.

“Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë kryer mbi 10 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 850 qytetarë. 620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me COVID-19”, vijoi ajo.

Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Nga data 27 Prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së ri-hapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar në tregues të matshëm.

Tomini tha se “lehtësimi i masave do të vijojë nëse do të kemi këtë situatë të qëndrueshme ku përllogaritet mesatarja e rasteve të reja, të shtruarit në spitale dhe pacientët në terapi intensive” .

“Pavarësisht situatës inkurajuese, funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave do të varet nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, ne do të vazhdojmë me lehtësimin gradual të masave sipas strategjisë së miratuar. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19, ju lutem telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, tha Tomini.

COVID-19 – Statistika (8 Maj 2020)

Teste të kryera 10044

Raste pozitive 850

Raste të shëruara 620

Raste Aktive 199

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 93

Krujë 62

Shkodër 17

Kamëz 9

Kurbin 4

Fier 4

Elbasan 3

Mirditë 2

Bera 2

Durrës 1

Korçë 1

Lezhë 1/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com