Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 17 raste të reja me COVID.
Rovena Daja, eksperte pranë ISHP u shpreh se “janë testuar 306 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 17 qytetarë. Mes të testuarve janë 48 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar të gjithë negativë për COVID-19.
Rastet e reja janë të përqendruara në zonën Tiranë-Durrës, përkatësisht 8 në Tiranë, 8 në Durrës dhe 1 në Krujë, kryesisht kontakte të rasteve pozitive të mëparshme, por edhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik. Ndërsa të shëruar në 24 orët e fundit janë 9 qytetarë”.
Sipas saj, rastet e reja të rritura për të tretën ditë radhazi tregojnë qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë.
Deri më sot janë kryer mbi 12 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 933 qytetarë./atsh