Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Heroin e Popullit, Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Atdhetarit antifashist, që me aktin e tij heroik dhe vetëflijues u tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë, se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, gjatë ceremonisë solemne të organizuar në Presidencë, Kreu i Shtetit u shpreh se, “sot me rastin e 79-vjetorit të kalimit në përjetësi të Heroit të Popullit, Vasil Laçi, kam nderin t’i akordoj Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, atë të Flamurit Kombëtar”.
“Një djalosh nëntëmbëdhjetëvjeçar, i shtyrë vetëm nga liria dhe atdhedashuria kreu një akt heroik e vetëflijues që do mbetej në historinë e popullit shqiptar si simbol i qëndresës dhe i rezistencës ndaj pushtimit dhe tiranisë. I veshur me kostum kombëtar shqiptar ai i tregoi pushtuesve, kuislingëve vendas dhe mbarë botës se populli ynë nuk i nënshtrohet kurrë asnjë armiku, të jashtëm apo të brendshëm. Se liria është gjëja më e çmuar për ne! Se ajo mbrohet me çdo akt e sakrificë”, tha Meta.
“Vasil Laçi nuk ishte i shtyrë nga ideologjitë e kohës. Por, diçka tjetër shumë më e madhe dhe më e fortë e shtyu Vasilin të kryente atë akt patriotik. Ky ishte vetëm ideali dhe ndjenjat e krenarisë kombëtare. ‘E bëra për Shqipërinë!’ tha ai gjatë torturave dhe përpara ekzekutimit. Një guxim i tillë i dha zemër një populli të tërë dhe shërbeu si frymëzim për Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke sjellë çlirimin e vendit dhe lirinë e popullit tonë nga pushtuesit”, u shpreh Meta.
“Madhështia e vërtetë e gjestit të tij është se ai u mëson brezave edhe sot që një njeri i vetëm mund të kontribuojë për të dhënë një mesazh të madh dhe frymëzues. Se çdo individ i thjeshtë mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie. Se një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli”, theksoi Meta.
“Ndaj edhe ne duhet të edukojmë më shumë brezat e rinj mbi historinë e heronjve tanë që ata të mësojnë dhe kuptojnë se sa e shtrenjtë ka qenë dhe është liria që ne gëzojmë sot. Një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie. Ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit, dhe të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet”, tha Meta.
“Populli shqiptar është një popull i pasur pasi ka në gjirin e vet të rinj e të reja, punëtorë dhe intelektualë, njerëz të zakonshëm të cilët e duan Shqipërinë dhe do përballen gjithnjë kundër çdo tiranie, madje njerëzit e thjeshtë japin shembujt më të mirë kur elitat korruptohen me tiranitë vendase apo të huaja”, shtoi Meta./atsh