Loading...

Meta: Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve në Universitete, i arsyeshëm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e cilësoi sot si të arsyeshëm vendimin e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit për shtyrjen e zgjedhjeve në universitete.

“Është një vendim i arsyeshëm dhe besoj që ishte i pritshëm, sepse në një periudhë të vendosur nga Parlamenti si të fatkeqësisë natyrore, sigurisht që ishte jo e mundur për të patur zgjedhje tërësisht përfshirëse dhe demokratike siç duhet ta meritojnë universitetet tona”, tha Meta në një prononcim për mediet.

I pyetur sesi e vlerëson vendimin e KLGJ-së për t’i marrë një opinion EURALIUS-it dhe OPDAT-it për qëndrimin ose jo në detyrë të Dvoranit, Meta tha se, “e kam dhënë një përgjigje për këtë çështje. Është një përgjegjësi që i mbetet vetëm KLGJ-së dhe askujt tjetër”.

Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal që hyjnë sot në fuqi, Meta tha se, “mesazhi im është të gjithë të bëjnë detyrën e tyre me përgjegjësi. Qeveria, Ministria e Shëndetësisë në veçanti, Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykatat, të nxjerrin të gjitha aktet nënligjore dhe të gjitha udhëzimet në frymën e ndryshimeve, që u bënë në Kodin Penal, të cilat janë më të avancuar në kontinent sipas standardeve daneze”.

Pra, shtoi Meta, “nuk mjafton vetëm formulimi i këtyre ndryshimeve, standardeve në Kodin Penal, por duhet edhe e gjithë kolona e akteve të tjera ku ato do të mbështeten të jetë në këtë frymë. Në mënyrë që t’i shërbejë atyre qëllimeve, të cilat synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë nga sëmundje të tilla të rrezikshme në periudha të tilla të paparashikueshme”.

Sa i përket shqetësimit të shprehur nga Partia Demokratike se qeveria po përdor gjendjen e jashtëzakonshme për të kufizuar liritë themelore të njeriut, Presidenti Meta tha se, “lidhur me çështjen e protestave, tubimeve, apo manifestimeve më duhet të theksoj se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, garanton në mënyrën më të qartë këtë të drejtë themelore, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash dhe kushtesh. Kjo është një e drejtë që duhet respektuar nga autoritetet”.

“Duke qenë se jemi në një situatë të veçantë, pra jo në një situatë të zakonshme, duhen marrë të gjitha masat, jo që të ndalohet, por të zhvillohet në përputhje me kushtet specifike të distancimit social apo fizik, të ruajtjes së sigurisë edhe të atyre që dëshirojnë të organizojnë një manifestim dhe duhet të jenë gjithmonë paqësore. Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar në çdo kohë, unë shpresoj që kjo të ndodhë sa më parë”, tha Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com