Loading...

Meta: Pres përmbylljen me konsensus të Reformës Zgjedhore, do ta firmos menjëherë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se pret mbylljen e marrëveshjes për reformën zgjedhore brenda 31 majit.

“Për çështjen e Kodit Zgjedhor, edhe unë jam i kënaqur që ndjek në media pasqyrimin e deklaratave të aktorëve politikë dhe diplomatikë, që ka përparime. Mezi pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllen me konsensus në këtë tryezë të Këshillit Politik të gjitha ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, por dhe nga partnerët e tjerë. Menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë, në mënyrë që të japim një lajm të mirë nga Tirana edhe për qytetarët, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se do të jetë një lajm i pamjaftueshëm për atë që pritet sepse serioziteti i këtyre ndryshimeve do verifikohet nga zgjedhjet në terren”, tha Meta.

“Jam shumë i entuziazmuar nga lajmet e fundit, nga të gjithë llojet e cicërimave që ka një progres për çështjen e Këshillit Politik. Mezi po pres të duartrokas si të gjithë ju këtë konsensus dhe kudo që të jem në Shqipëri do të kthehem këtu që ta firmos menjëherë dhe të lajmërojmë të gjithë botën që kjo është një arritje shumë e madhe”, u shpreh Meta.

“Ta zëmë se palët nuk ranë dakord apo jo. Unë nuk e di se për çfarë arsye por nuk e dëshiroj kurrë këtë gjë. Unë do të shikoj nëse miratohet në mënyrë të njëanshme është ose jo në përputhje me Kushtetutën me ligjet, me rekomandimet. Mundësia ime është ta rikthej vetëm një herë për reflektim për çdo rast dhe kaq. Pastaj sesi veprojnë është në varësi të aktorëve të tjerë nuk është në varësinë time. Por në çdo rast me konsensus që këtë po e presim të gjithë edhe dy ditë kohë kanë ngelur. Por edhe në mënyrë të njëanshme, që nuk do të habiteshim sepse këtu ka zhvillime të paparashikueshme dhe të befasishme, përsëri si President i Republikës do të bëj të qartë që në hapësirën kohore që Kodi do më lejojë me konsensus apo jo në ditën më të parë të mundshme, në momëntin që do kem hapësirën ligjore, do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe nuk do të bëj asnjë konsultim formal me asnjë forcë politike”, u shpreh Meta.

“Kjo, sepse jam i sigurt që të gjithë mezi presin një parlament të ri, plotësisht legjitim. Pra që do të thotë kur palët kanë vullnetin për zgjedhje të lira, të ndershme që ato të mos jenë më një bllokim për integrimin europian të Shqiëprisë, por edhe sadopak më legjitim le të jetë sesa ky që është. Kjo do të thotë që nëse Kodi nuk miratohet me konsensus, zero, jua kam thënë dhe vjet, zero, po s’u bënë zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse, hapen negociatat në tetr për tetorin e kalaur. Mbajeni të regjistruar edhe këtë zero çelje negociatash të Shqipërisë me BE, jo deri në zgjedhjet që vijnë por edhe pas zgjedhjeve që vijnë, pra nja 5 vjet të paktën i keni të humbura. Përgjegjësia do të jetë e atyre aktorëve që bëjnë këto gjëra. Apeli im është ju lutem ecni në ëktë rrugë konsensusi dhe unë i inkurajoj të gjithë fuqimisht në këtë drejtim. Mos harroni se kemi dhe kryesinë e radhës së OSBE dhe do ishte turp i madh që Shqipëria të mos përmbushë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Do ishte rast i paprecedentë në historinë e OSBE. Megjithatë Presidenti është shumë i qartë. Firmoset dekreti, nuk kthehet më mbrapa. Kush të dojë të hyjë në zgjedhje, kush të dojë të iki nga zgjedhjet”, tha Meta.

“Natyrisht kjo nuk do të mjaftojë. Presidenti do të bëjë punën e tij. Presidenti do t’i drejtohet të gjithë botës demokratike, organizatave ndërkombëtare, mediave të huaja, do të marrë masat e tij për monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe kushdo që do të hyjë për të marrë pjesë në zgjedhje ka inkurajimin e Presidentit që të marrë pjesë dhe të luftojë për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që janë në opozitë dhe që sot kanë ngelur në rrugë sepse nuk përfaqësohen në asnjë institucion”, tha Meta.

Meta tha gjithashtu se, “Institucioni i Presidentit ka vijuar komunikimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke kërkuar ndjekjen me përparësi të procedurave për plotësimin e të gjitha vakancave në Gjykatën e Lartë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

“Kam zhvilluar një bashkëbisedim, nëpërmjet një videokonference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët i falënderova për angazhimin e tyre për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë. U ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për çështjen e shembjes së paligjshme dhe arbitrare të Teatrit Kombëtar, çka tronditi të gjithë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar. Po kështu u ra dakord për të vijuar bashkëpunimin edhe për shumë çështje të tjera në vendin tonë që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, edhe si pjesë e trashëgimisë europiane të kulturës”, theksoi Meta.

“Njëkohësisht dua t’ju sqaroj se pas furtunës në gotë që u ngrit javën e kaluar, kam bërë disa prononcime publike për t’i bërë plotësisht të qartë dhe transparente opinionit publik përpjekjet e mia të sinqerta për të ndërtuar konsensus mbi axhendën e integrimit europian të Shqipërisë.

Brenda disa javësh do të propozohet edhe kuadri negociator për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Por për fat të keq, edhe kësaj here përpjekjet e mia që ky moment ta gjente vendin më të bashkuar, më të përgatitur dhe më të angazhuar në axhendën e reformave, u minua. Tashmë secili aktor le të marrë barrën e përgjegjësive të veta përballë qytetarëve dhe partnerëve europianë. Siç e bëra publike gjatë kësaj jave, unë do të kaloj tani më pak kohë me Tiranën politike, dhe do t’u përkushtohem më shumë Shqipërisë së qytetarëve”, tha Meta.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, Meta nënvizoi se “si President i Republikës së Shqipërisë gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe këtë do ta bëj gjithmonë. Është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com