Loading...

Meta: Liria e medies është tregues për gjendjen e Demokracisë

“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medies në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve”, tha sot Presidenti Ilir Meta.

Meta shprehet se “ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë”.

“Pasojat e paralajmëruara të paketës antikushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht. Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme”, tha ai.

Po ashtu, Meta shton se “liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike. Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medies në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të ti”.

“Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medies është i papranueshëm”, tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com