Loading...

Meta: Kauza e Aleancës për Teatrin, tashmë është e të gjithëve ne

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish sot në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë.

Meta shprehet se do vendoset drejtësi mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar.

“Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s’do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet, derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia”, tha ai.

Më tej Meta shton se “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t’u zgjuar e bashkuar para se Tirania t’i shembë secilit shtëpinë e tij, si banorëve të Unazës së Re. Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht, pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët. Të gjithë u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme. Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë”.

“Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?” – tha ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com